6 vrasje janë zbardhur nga policia dhe prokuroria pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, i cili nxori emrat e vrasësve të pagesë që kanë kryer ekzekutime për llogari të grupit të Laert Haxhiut.
Të arrestuarit të cilët akuzohen si pjesë e grupit të këtij të fundit janë Bledar Berberi, Mariglen Topuzi dhe Firdeus Berberi.
Vrasjet kanë ndodhur në kohë të ndryshme në vende të ndryshme, në Greqi, Elbasan, Korçë, Lushnje dhe Tepelenë.
Peqin-Alban Semakut, 17 Tetor 2021
Alban Semaku, 38 vjeç, u gjet i ekzekutuar me armë zjarri më 17 Tetor 2021. Ai u vra me dy plumba në trup, një në shpinë dhe një në brinjë. Semaku deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali. Në Lushnje ai njihej me emrin “Elton Kinezi”.
38-vjeçari ishte anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjes dhe kishte një të shkuar të pasur kriminale. I pamartuar dhe nuk shoqërohej me njerëz, Semaku në vitin 2006 ishte ekstraduar nga Italia për vrasje.
Pasi doli nga burgu, në vitin 2015 kërcënoi një person dhe u dënua sërish me burg. Ai u lirua me 6 Qershor, ndërsa 5 muaj më vonë u gjet i vrarë pranë lumit Shkumbin.
Tepelenë-Çajup Selimi, 1 Qershor të 2021
Çajup Selimi, 52 vjeç, u ekzekutua në hyrje të shtëpisë së tij në lagjen "15 Shtatori" më 1 Qershor të 2021. Selimi doli nga shtëpia pasi u thirr nga një person dhe u qëllua në shkallët e katit të dytë të pallatit ku jetonte.
52-vjeçari ndërroi jetë menjëherë për shkak të plagëve të marra. Nga informacionet e asaj kohe, autorët e vrasjes dyshohet të ishin dy persona.
Çajup Selimi njihej si pronar i një biznesi në hyrje të Tepelenës. Dyshimet e para në kohën kur u vra, ishte se biznesmeni Selimi u ekzekutua për shkak të konkurrencës.
Elbasan-Albi Bashaliu, 27 Dhjetor 2021
Albi Bashaliu u ekzekutua më 27 Dhjetor të vitit 2021. 35-vjeçari u vra me armë në fshatin Gjoçaj të Peqinit. Viktima sapo kishte zbritur nga makina e tij për të shkuar në një kafe. Pasi e ekzekutuan Bashaliut i dogjën edhe makinën.
Ai kishte precedentë penalë pasi 4 vite më parë kishte qëlluar me armë në drejtim të 2 personave në Peqin. Ngjarja u dyshua për hakmarrje pasi po në Qershor të atij viti, vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu vrau Ylber Xhahysën. Bashaliu u konfliktua për motive banale me Ylber Xhahysën për gërvishtjen e makinës 5 vite më parë dhe ky konflikt çoi në atë ngjarje të rëndë kriminale.
Korçë-Fridmand Xhaferraj, 13 Maj 2021
Fridman Xhaferraj, 25 vjeç u gjet i vrarë më 13 Maj të 2021, në rezervuarin e Gjançit. Ai dyshohet se u vra në qytetin e Korçës e më pas trupi u hodh në rezervuar. Në atë kohë, dyshimet e policisë ishin se 25-vjeçari ishte ekzekutuar për larje hesapesh, për shkak të konflikteve të mëparshme.
Athinë-Lulzim Qorri, 12 Dhjetor 2018
Lulzim Qorri, 44 vjeç, u ekzekutua në Athinë në një atentat mafioz në 12 Dhjetor të vitit 2018. Policia greke njoftoi asokohe se viktima ishte duke pirë kafe në një lokal shumë afër sheshit qendror “Omonia”.
Pak para orës 23:00 dy persona ndaluan me një motoçikletë përpara kafesë ku mblidheshin shqiptarët dhe në atë orë ishte plot pasi po ndiqnin një ndeshje futbolli.
Njëri nga ekzekutorët zbriti, shkoi pranë Qorrit dhe e qëlloi atë nga një distancë e afërt. 44-vjeçari humbi jetën si pasojë e 3 plumbave në kokë. Qorri ishte arrestuar në Shqipëri në vitin 2016 si pjesë e një bande të trafikut të drogës në Ballkan, ku në pranga ranë disa biznesmenë ndërtimi.
Athinë-Dikens Halili, 3 Tetor 2021
Dikens Halili u ekzekutua më 3 Tetor 2021 në Athinë . 39-vjeçari u ekzekutua në lokalin në pronësi të tij në lagjen “Agios Panteleimon”. Dikens Halili nga Tepelena ishte person me precedentë të mëparshëm penalë dhe i njohur për autoritetet greke. Në vitin 2010, atij i ishte bërë atentat me tritol në makinë. Shpërthimi ishte aq i fortë saqë theu edhe xhamat e dyqaneve aty pranë, por Halili dhe një grua që ishte me të në sediljen e pasagjerit mundën të shpëtonin.
Në periudhën 2011-2012, Dikens Halili ishte akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale, anëtarët e së cilës kërcënonin pronarët e “shtëpive të kuqe” (siç njihen në Greqi) në Athinë për t’u zhvatur para. Nëse pronarët nuk shantazhoheshin, ai u vendoste zjarrin bordellove. I njohur edhe me emrin Keli, 39-vjeçari ka qenë i përfshirë edhe në rastet e trafikut të drogës në shtetin fqinj.
Shqiptari ka qenë në lokalin e tij pasditen e 3 Tetorit 2021 duke folur në telefon kur një person i paidentifikuar iu afrua dhe qëlloi në drejtim të tij 8 herë me armë. 39-vjeçari u dërgua i plagosur në spital, por ndërroi jetë për shkak të plagëve të shumta. Ai kishte 1 plumb në kokë, 2 në bark dhe 1 në shpatull.
Kujtojmë se një natë më parë, autoritete policore zhvilluan një operacion masiv të shtrirë në disa qytete të vendit. Në total raportohet se u lëshuan 15 urdhërarreste. Pritet që policia e prokuroria të dalin me një deklaratë për mediat për të zbardhur detajet e operacionit në fjalë./klan