E pazakontë / Gjermania refuzon të ekstradojë në Britani trafikantin shqiptar të kokainës, ja arsyeja

5 September 2023, 21:07Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
E pazakontë / Gjermania refuzon të ekstradojë në Britani
Foto ilustruese

Gjermania ka refuzuar ekstradimin e një shtetasi shqiptar që kërkohet nga drejtësia angleze, i shpallur në kërkim për trafikimin e një sasie të madhe kokaine.

Në një përgjigje të pazakontë për autoritetet angleze, gjykata gjermane ka vendosur kundër ekstradimit për shkak të shqetësimeve nga kushtet e këqija të burgjeve në Britaninë e Madhe.

Shqiptari, i cili jetonte më herët në Britani, u shpall në kërkim ndërkombëtar me akuzën e trafikimit të një sasie prej 5 kilogram kokainë, me një vlerë tregu prej rreth 415,000 dollarë.

“Nuk mund të supozohet me siguri të mjaftueshme për momentin që personi nën hetim, nëse ekstradohet në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, do të kishte kushte humane të paraburgimit atje”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë Rajonale të Karlsruhes.

Në një koment Jonathan Goldsmith, një anëtar i Shoqërisë së Drejtësisë, organi i pavarur profesional për avokatët në Angli dhe Uells, tha se vendimi ishte “një tjetër qortim i ashpër” për të dhënat e qeverisë britanike në administrimin e drejtësisë.

“Ky është një turp për Mbretërinë e Bashkuar”, shkroi Goldsmith.

“Ka pasur vendime të ngjashme gjyqësore edhe më parë nën kuadrin e Urdhrit të Arrestimit Evropian, por në lidhje me shtetet anëtare me të dhënat e të cilave për burgjet dhe të drejtat e njeriut ne nuk do të dëshironim të krahasoheshim”, tha ai.

Shqiptari mesa duket përfitoi nga një avokat i cili konsiderohet si ekspert për gjendjen e burgjeve britanike. Jan-Carl Janssen shkroi tezën e tij mbi sistemin penal në Angli, Uells dhe Skoci, dhe në gjykatë citoi kërkimet që kishte bërë më herët çështje si mbipopullimi kronik, mungesa e stafit dhe dhuna midis të burgosurve. Ai tha gjithashtu se disa qeli janë shumë të vogla, shumë të errëta dhe me ajrosje të keqe.

Gjykata gjermane i ka kërkuar autoriteteve britanike garanci se të drejtat e njeriut do të respektohen, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjen e bashkëpunimit pas Brexit mes Britanisë dhe Bashkimit Evropian.


Video