E mbytën dhe e hodhën në liqen, arrestohen dy nga autorët e vrasjes së Renis Dobrës, shpallen në kërkim dy të tjerë (EMRAT)

16 Korrik 2025, 08:06Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Renis Dobra

Një javë pas ngjarjes makabre që tronditi Matin ku disa persona morën peng 23 vjeçarin Renis Dobra dhe pasi e torturuan e mbytën dhe e hodhën në liqenin e Shkopetit, policia ka arritur të zbardhë totalisht ngjarjen dhe të vërë në pranga dy nga autorët.

Nëpërmjet kamerave të sigurisë policia ka zbardhur gjithë dinamikën. Katër persona kanë marrë pjesë në rrëmbimin dhe vrasjen e të riut. Sipas policisë autorët janë Petrit Çakërri allias Hoxhaj, dhe tre vëllezërit Fatjon, Kristi e Aleksandër Bushgjokaj.

Mësohet se Petrit Çakërri është arrestuar në fshatin Lekbibaj të Tropojës ndërsa Fatjon Bushgjoka është arrestuar në Tiranë.

Dy vëllezërit e tjerë Kristi Bushgjokaj allias Kristë Bushgjokaj dhe Aleksander Bushgjokaj allias Aleksandër Bushgjokaj janë shpallur në kërkim.

Gjithçka dyshohet se ka nisur në Gjermani ku 23 vjeçari ka jetuar për disa kohë. Dyshohet se ai është përfshirë në shtetin gjerman në punë të paligjshme. Sipas dosjes hetimore, babai i 23 vjeçarit Rufat Dobra, djali i kishte shprehur shqetësimin se e kishin kërcënuar pasi gjatë kohës që punonte atje si shpërndarës i kishte humbur një sasi droge. Pikërisht kjo dyshohet se është zanafilla e ngjarjes pasi Petrit Çakërri dhe tre vëllezërit Bushgjokaj dyshonin se i riu nga fshati Zenisht i Matit ju kishte bërë "gol".

Mbrëmjen e 9 Korrikut katër personat i zunë pritë 23 vjeçarit Renis Dobra rreth orës 21 e 30 minuta në afërsi të banesës së tij. Ata e rrëmbyen bashkë me automjetin e babait dhe përdorën rrugën e vjetër Burrel - Skuraj. Dyshohet se gjatë rrugës ata e kanë dhunuar rëndë dhe në tentativë për ta bërë të flasë e kanë mbytur me litar. Më pas ata e hodhën bashkë me automjetin e tij në liqenin e Shkopetit por gjatë rrokullisjes së mjetit tip benz trupi i 23 vjeçarit mbeti pak metra pa rënë në ujë.

 


Video