Një makinë është djegur plotësisht ditën e sotme në afërsi të qytetit të Sarandës, ngjarje që fatmirësisht ka kaluar pa persona të lënduar.
Policia e qytetit bën me dije se makina ishte marrë me qira nga një turist spanjoll, i cili po udhëtonte së bashku me familjen e tij.
Flakët janë shuar nga zjarrfikësit, por nga makina nuk ka mbetur gjë përveç hekurave. Ndërsa policia e ka transportuar familjen spanjolle drejt qytetit të Sarandës.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në aksin rrugor Viron-Sarandë, dyshohet se aksidentalisht, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka marrë flakë, në ecje e sipër, automjeti tip “Dacia” i marrë me qira nga shtetasi spanjoll M. F., 40 vjeç, i cili udhëtonte së bashku me familjen e tij.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Zjarrfikësit kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit, ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar turistët në qytetin e Sarandës.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.