Duka kërkoi hapjen e basteve sportive, vjen përgjigjia e qeverisë: E dimë që funksionojnë në treg të zi

17 June 2022, 14:39Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

 

Duka kërkoi hapjen e basteve sportive, vjen përgjigjia e
Takimi mes Dukës dhe Kushit

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka zhvilluar ditën e sotme një takim me kreun e FSHF-së Armando Duka, pas kërkesës së këtij të fundit për rihapjen e basteve sportive dhe fitimi  prej tyre të shkonte tek investimet në sport. 

Qeveria e përjashton kategorikisht hapjen e sallave të basteve sportive, por janë të hapur për të biseduar për rikthimin e tyre online.

"Ne e përjashtojmë kategorikisht përsëritjen e katrahurës së sallave të bixhozit, bingove e basteve, si dhe pasojat negative të këtij fenomeni social në familjet shqiptare, por ndërkohë duam të dëgjojmë më shumë për mundësinë e formalizimit të tregut digjital." thuhet në postimin e Kushit në rrjetet sociale.

Kushi e pranon se sot në Shqipëri bastet sportive funksionojnë në treg të zi, por sipas saj, ky është një problem në gjithë globin. Ditët në vijim, ministrja njofton se do të zhvillojë takime dhe me përfaqësues të federatave të tjera sportive dhe grupe interesi.

Postimi i plotë:

I kam ndjekur vazhdimisht me shumë vëmendje diskutimet e fundit nga përfaqësues të ndryshëm të komunitetit të sportit në lidhje me çështjen e rihapjes së basteve sportive. Natyrisht që pretendimet e tyre për tregun e zi të basteve nuk janë pa bazë, madje ka pasur edhe operacione policore në këtë drejtim. Por ndërkohë ne jemi të vetëdijshëm që në të gjithë botën, madje edhe në vendet më të zhvilluara, problemi i tregut të zi digjital të basteve sportive është shumë i ndjeshëm.

Ne e përjashtojmë kategorikisht përsëritjen e katrahurës së sallave të bixhozit, bingove e basteve, si dhe pasojat negative të këtij fenomeni social në familjet shqiptare, por ndërkohë duam të dëgjojmë më shumë për mundësinë e formalizimit të tregut digjital.

Prandaj nisëm sot një dëgjesë me përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, me qëllim që të shkëmbejmë opinionet dhe qëndrimet tona me frymë dialogu e bashkëpunimi edhe për ligjin e sponsorizimeve dhe çështje të tjera që lidhen me sportin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka treguar mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e sportit në vend dhe takime të tilla janë të dobishme për të ecur bashkërisht përpara e për të ndërmarrë politika që garantojnë një sport dinjitoz. Në ditët në vijim do të zhvillojmë dëgjesa edhe me përfaqësues të federatave të tjera sportive dhe grupe interesi.

 


Video