
Fatjon Gjonaj u arrestua dhe u ekstradua nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Itali. Operacioni, i koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Qarkut të Milanos, nisi me lokalizimin e Gjonajt në Dubai dhe përfundoi me mbërritjen e tij në aeroportin e Fiumicino-s në orën 6:15 të mbrëmjes, pas një periudhe të gjatë në arrati që filloi në dhjetor 2024.
Aktualisht, Fatjon Gjonaj u transferua menjëherë në burg, tashmë në dispozicion të Prokurorisë së Milanos.
Sipas informacionit të publikuar nga mediat italiane, kthimi i Fatjon Gjonajt në Itali është rezultat i një aktiviteti hetimor kompleks ndërkombëtar. Hetimi, i nisur nga Skuadra Fluturuese e Milanos dhe i koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia, filloi pas një prite që iu bë më 12 prill 2019 kundër Enzo Anghinelli-t. Në lidhje me atë ngjarje, autoritetet kishin marrë tashmë një dënim të shkallës së parë për nxitësin e dyshuar dhe autorin material, por hetimet çuan në zbulimin e një skenari më të gjerë kriminal.
Aktiviteti kriminal
Për drejtësinë italiane, Gjonaj është në krye të një shoqate kriminale që synonte trafikimin ndërkombëtar të drogës, në veçanti kokainës dhe kanabisit. Provat për përfshirjen e tij, autoritetet italiane i kanë siguruar përmes platformave të mesazheve të koduara, Encrochat dhe SkyECC. Herën e fundit që mediat italiane shkruanin për të ishte në dhjetor të vitit 2024 kur Policia kishte vendosur në pranga 19 persona, si pjesë e një operacioni kundër tifozëve “ultra” të Milanit, por që shumica e të cilëve u akuzuan për lidhje me mafian.
Udhëheqësi ultras i Milanit, Luca Lucci akuzohej si kreu i grupit, rol që e ndante me shqiptarin Gjonaj, i cili asokohe raportej se ishte arratisur për në Spanjë. Por mesa duket si shumë shqiptarë të tjerë, në tentativë për t'i shpëtuar drejtësisë ishte nisur për në Dubai. Megjithatë ajo që kishte menduar duket se nuk qëndron më, pasi "kështjella e Dubait" ka rënë prej kohësh, pasi vendi i UEA ka nisur që të bëjë ekstradime për llogari të autoriteteve të huaja. Edhe në Shqipëri ka pasur disa të ekstraduar nga Dubai që janë sjellë në vendin tonë për t'u përballur me drejtësinë.
Ultras të Milanit, por edhe trafikantë
Pas aksionit të dhjetorit, gjyqtari i çështjes Fabrizio Filice u shpreh se nga hetimet kishte dalë në përfundimin se Lucci në bashkëpunim me Gjonaj, jepnin udhëzime për anëtarët e bandës, shumë prej të cilëve janë pjesë e botës së tifozëve ultras milanistë, për të siguruar suksesin e aktiviteteve të paligjshme. Gjithçka e kishin zbuluar nga bisedat në aplikacionin "SkyECC", të zhvilluara nga qershori 2020 deri në mars 2021. Lucci mbante pseudonimin “Belvaitalia”, ndërsa Gjonaj njihej me nofkën “Don Bobi”. Grupi ishte organizuar që Lucci të qëndronte në Itali, ndërsa shqiptari jetonte në Spanjë, ishte banor i Malagas dhe nga atje kujdesej për dërgimin e drogës. Droga mbërrinte nga Spanja kryesisht me kamionë. Ndërsa dërgesat më të vogla (15-20 kilogramë) organizoheshin drejtpërdrejt nga Lucci me 'korrierë të Amazon', duke fshehur pako droge mes dërgesave të tjera. Ndër projektet ishte dhe ai i transportit të drogës me helikopterë, duke eliminuar ndërmjetësit, si dhe shfrytëzimi i shoferëve të kamionëve që ishin tifozë të organizuar të Curva Sud. Përveç trafikut të drogës, grupi kishte porositur edhe një vrasje. Për këtë ngjarje u arrestua 52-vjeçari Daniele Cataldo, i cili ishte autori i tentativës për vrasje të Enzino Anghinelli në vitin 2019, krim që ishte porositur nga Lucci./ZËRI