Gazeta e përjavshme greke “Documento” e gazetarit të njohur investigativ Kostas Vaxevanis, i ka kushtuar sot një artikull të gjatë dosjes “Sky ECC” që çoi në pranga një oficerin e policisë greke, i cili ka shërbyer më parë tek anti-droga si dhe dy trafikantë, grekun K. G dhe 45-vjeçarin shqiptar Sandër Pemaj, aktualisht i dënuar për trafikun e rreth 1.2 ton kokainë nga Karaibet në Greqi.
Reportazhi i gazetarëve Myrto Mpoutsi dhe Giannis Tsakarisianos, zbardh detaje mbi veprimtarinë e grupit kriminal, mbi të cilët rëndojnë shumë akuza.
Në një bisedë K. G shprehet se “njeriu i tyre” në Marusi “për 5 vjet do bëhet shef”, ndërsa në gusht 2020, shqiptari Sandër Pemaj parashikon që me mbulimin e S. T nga Marusi (një oficer që ndiqet në gjendje të lirë për këtë çështje) dhe të një personi tjetër, do bëhen… “mbretër të Athinës”.
Bisedat e përkthyera nga greqishtja:
Sandër Pemaj: Deri fund shtatori do jemi mbretër të Athinës
Sandër Pemaj: Të jap fjalën
K. G: Makar ore vëllai im
Sandër Pemaj: Do duhen edhe çunat për mbulim
K. G: Dhe Marusin dhe shokun
K. G: Ata janë me ne vëlla në gjithçka
Ata komunikojnë edhe për një çështje që ka shkuar në gjykatë, me të pandehur persona të njohur nga ta. Ata flasin për një polic të quajtur A. T, atëherë me shërbim tek Anti-Droga e Athinës, i cili ishte në varësi të S. T, të cilin bashkëbiseduesit e thërrasin “Marusi”.
K. G: Çfarë është ky?
Sandër Pemaj: Polic
Sandër Pemaj: I T. (mbiemri i tij)
Sandër Pemaj: Thuaji S. (Oficeri S. T)
Sandër Pemaj: Është i tij
Sandër Pemaj: Për Enin (i akuzuari)
Sandër Pemaj: 11 shtator
Sandër Pemaj: Shkon në gjykatë
K. G: Çfarë të bëjë S. (oficeri S. T)
K. G: Cfarë ti thotë A. (polici A. T)
Sandër Pemaj: Mos të flasin keq në Gjykatë
Biseda vijon…
Sandër Pemaj: O tiransi...
Sandër Pemaj: E mban mend?
Sandër Pemaj: Që u kap me kumbarin
K. G: Të shkurtrin nga Menidhi?
K. G: Po vëllaçko kuptova për kë thua. E mbaj mend atë djalë, djalë i mirë. Po, do t’i them unë S. Do vijë të hënën ta dish. Të hënën kam takim.
Sandër Pemaj kishte kontakt me 80 persona!
Sandër Pemaj 45 vjeç, prej 24 janarit 2020 ndodhet i burgosur si pjesë e një grupi që trafikoi rreth 1.2 ton nga Karaibet në Greqi.
Nga shkalla e parë e gjyqësorit ai u dënua me burgim të përjetshëm, por shtatorin e këtij viti, Apeli ia reduktoi dënimin në 15 vjet e 4 muaj. Sipas gazetës greke “Documento”, fillimisht ai ka qenë në burgun e Malandrinos ndërsa së fundmi ndodhet në burgun e Koridhalos.
Nga marsi 2020 deri në mars 2021, ai rezulton përdorues i “Sky ECC” ku brenda burgut të Malandrinos ai kishte rol drejtuesi. Madje një prej kodeve të tij tij “Malandr01” siç zbulon shkrimi i sotëm i gazetarëve grekë Myrto Mpoutsi dhe Giannis Tsakarisianos.
Brenda kësaj periudhe ai ka trafikuar sasi të mëdha droge, duke pasur kontakt me të paktën 80 persona. Në dosjen e hetuar së fundmi ai mbahet përgjegjës vetëm për episode që përfshijnë atë, grekun K. G dhe oficerin e policisë Ilia T., ndërsa episodet e tjera mesa duket janë ende duke u hetuar.
Në një prej komunikimeve me K. G, ata bisedojnë për një ngarkesë prej 100 kg kokainë.
Biseda në greqisht e përkthyer:
Sandër Pemaj: Jam … në ataxia (vijojnë biseda me foto nga ngarkesa).
K. G: Ku i kapën?
Sandër Pemaj: Aty ku ndaloi për tranzit
Sandër Pemaj: Përpara Zoti në Gjermani ato arrijnë këtë javë
K. G: Mos i q…
Sandër Pemaj: Ato e kanë kaluar rrezikun
Sandër Pemaj: 100 janë
K. G: Më thuaj ta rregulloj t’i sjellim
Kush është Sandër Pemaj?
45-vjeçari Sandër Pemaj konsiderohet një nga “kokat” e grupeve kriminale shqiptare në Greqi. Në shkurt 2010 ai u përfshi në një përplasje të armatosur me policinë greke bashkë me shqiptarin tjetër Marian Kola, i cili u arratis në 2013 nga burgu i Trikallas e më pas u vra nga policia greke në kufirin greko-shqiptar.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit në Virona në 2010, ku u hodhën edhe 5 granata, u vra aksidentalisht 25-vjeçari shqiptar Nikolla Todi dhe u plagosën 2 policë. Pemaj dhe Kola u arrestuan pas ngjarjes. E ndërsa Kola u arratis e u vra, Pemaj u lirua pas disa vitesh nga burgu.
Pemaj ka precedentë penalë në Greqi prej vitit 2000, duke u arrestuar 5 herë për grabitje me armë, drogë e tentativë vrasje deri në 2010. Tre herë ai kishte thyer lejen që kishte marrë nga burgu. Në 2015, Pemaj u arrestua sërish si pjesë e një grupi kriminal që tregtonte heroinë, kokainë dhe marijuanë.
Gjithsej u arrestuan 20 persona, mes të cilëve edhe një polic që i informonte për operacionet. Edhe kësaj radhe Pemaj u lirua shpejt, duke u arrestuar sërish në 2020 për trafikun e rreth 1.2 ton kokainë.