Me qeleshe në kokë, me mjekër dhe me armë kallashnikov mbi një makinë Audi.
Kjo është fotoja e Antonio Leka nga qyteti i Lezhës, 36-vjeçari i cili është arrestuar nga policia e Lezhës pasi u kap me një arsenal të tërë armësh me vete.
Mësohet se fotoja është bërë para arrestimit dhe se ai ndodhet në një servis, së bashku me vëllain e tij duke e ekspozuar armën e zjarrit.
Ishte pikërisht kjo makina me të cilën po udhëtonte nga zona e Milotit në drejtim të Lezhës ku janë gjetur snajper, automatikë, plumba blindshpues, pistoleta dhe jelekë antiplumb.
Gjatë momentit të arrestimit Antonio Leka, nuk ka shfaqur rezistencë ndaj punonjësve të policisë, por u ka thënë këtyre të fundit se ishte nisur në drejtim të Lezhës, për të vrarë politikanët.
Aktualisht ndaj tij është marrë masa e arrestimit ndërsa në ditët në vijim pritet që të dalë para gjykatës së Lezhës, për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” që do kërkojë prokuroria.
Ka qenë vellai i Antonios, Nik Leka ai që ka njoftuar policinë e Lezhës, për prezencën e tij të armatosur, i cili kishte parë të vëllain të veshur ushtarak dhe me anti-plumb. Policia lokale e vlerësoi me shpejtësi këtë informacion, duke rrethuar Antonio Lekën dhe ndaluar në aksin rrugor Milot-Lezhë.