Policia e Fierit ka ndërmarrë sot një aksion në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum”, që operon në fushën e nxjerrjes së naftës në Marinëz.
Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar drejtori aktual i kompanisë, Hongping Xiao, shtetas kinez, si dhe ish-drejtori Leonidha Çobo.
Ndërkohë detaje të tjera janë zbardhur lidhur me arrestimet në “Bankers Petroleum” në Fier, ku bëhet e ditur se janë dhënë 14 urdhër-arreste për drejtues, ish-drejtues dhe zyrtarë të kompanisë.
Katër persona janë vënë nën masën “arrest shtëpie” nga Gjykata e Fierit, teksa katër zyrtarë të tjerë, kinezë janë shpallur në kërkim.
Operacioni policor është zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Forcat e rendit, të shoqëruara nga një furgon i Tatimeve, janë parë të hyjnë në ambientet e kompanisë gjatë mesditës së sotme.
Bëhet me dije se veprimet hetimore vijojnë të jenë aktive, ndërkohë që ende nuk janë dhënë detaje mbi akuzat ndaj të arrestuarve.
Burime bëjnë me dije se ky kontroll dyshohet për ngritjen e një skeme mashtrimi në dëm të shtetit, si edhe pastrim parash.
Kompania është përballur dhe më parë me akuza nga autoritetet tatimore dhe doganore për mospërmbushje të detyrimeve ligjore ndaj buxhetit të shtetit.
Në të kaluarën, “Bankers Petroleum” është akuzua gjithashtu për ndikimin negativ që aktiviteti i saj naftënxjerrës ka sjellë në mjedisin e zonës së Marinzës, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme dhe shqetësim për komunitetin lokal.
Për momentin ende nuk ka reagim zyrtar nga autoritetet.