Thjesht dhe në mes të rrugës, kështu shitej droga e Brikena Frakullit në Tiranë. Në pamjet e mëposhtme janë kapur disa prej momenteve, kuranëtarët e grupit të trafikantëve, që drejtohej nga Brikena Frakulli, i shesin një klienti të tyre një sasi heroine.
Tv Klan ka siguruar pamjet e filmuara nga nje kamera amatore gjatë shitjes së dozave të droges në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë. Siç shihet në pamjet e mëposhtme, takimi mes klientit dhe trafikantes kryehet në rrugë, pasi më herët kanë komunikuar me njëri-tjetrin në celular. Pasi merr dozën e heroinës, klienti largohet, ndërsa trafikantja i drejtohet bazës që ndodhej po në këtë zonë.
49-vjeçarja nuk mjaftohej me shitjen e drogës nga anëtarët e grupit që drejtonte, mes të cilëve ishte dhe djali i saj 20-vjeçar Klevi Banushi, por dilte edhe vetë në "aksion".
Sot, për 4 të arrestuarit, mes të cilëve dhe koka e grupit, Brikena Frakulli, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’. 49-vjeçarja u shpreh në seancë se trafiku drogës bëhej vetëm prej saj dhe se 3 të arrestuarit e tjerë nuk kanë asnjë lidhje, madje e mbajti të gjithë fajin vetë. Por rrëfimi i saj nuk u mor parasysh nga Gjykata. Ndërkohë që nga ana tjetër, Policia po i vijon hetimet, pasi ka arritur të bjerë edhe në gjurmët e personit që furnizonte me lëndë narkotike grupin.