Berisha: Vilma Nushi futi në Shqipëri ilaçet serbe që nuk kishin standarde për...

14 June 2022, 20:53Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha: Vilma Nushi futi në Shqipëri ilaçet serbe që nuk
Sali Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar pasditen e së martës një tryezë diskutimi me mjekët për të folur mbi problematikat në sistemin shëndetësor.

Berisha iu bëri thirrje mjekëve që të ngrihen për të rrëzuar “regjimin e Edi Ramës. Sipas kreut të PD-së, mjekët duhet të përdorin influencën e tyre për të rrëzuar qeverinë.

“Shpreh para jush bindjen time të thellë se kushti i të gjitha kushteve për t’i dhënë një përgjigje problematikave të mëdha të mjekëve është angazhimi bluzave të bardha në një lëvizje të fuqishme kundër kësaj qeverie. Ky regjim bazohet në vjedhje e korrupsion. Vjedhin të sëmurët, ilaçet, çdo gjë, prandaj nuk i respektojnë mjekët. Shpresoj shumë tek ju dhe jam i bindur se bashkërisht do bëjmë gjithçka për të ndërruar këtë qeveri, këtë sistem, është sistem monist. Mjekët janë njerëz me influencë, përdorni influencën për të qartësuar përndryshe dëshpërimi do rrënojë shoqërinë shqiptare”, tha Berisha.

Më tej, Berisha u shpreh se ligji i parë që ndryshoi qeveria e Ramës kur erdhi në pushtet është ai për ndalimin e importit të ilaçeve që nuk tregtohen në BE. Kreu i PD tha se kanë vendosur ligjin që në Shqipëri do hynin ilaçe që tregtohen vetëm ne vendet e BE, pasi ishin të sigurta. Sipas ish-kryeministrit ligjin e hoqi Vilma Nushi për të cilën tha se përfaqësonte ndërmarrjen farmaceutike publike të Beogradit. Sakaq, kreu i selisë blu deklaroi se Vilma Nushi nuk është gjë tjetër veçse një oligarke.

“Vilma Nushi e hoqi, përfaqësonte ndërmarrjen farmaceutike publike të Beogradit dhe duhet të futeshin ilaçet serbe që nuk futeshin dot, sepse nuk kishin standarde për tu tregtuar në BE. U hoq ligji dhe Vilma Nushi u shndërrua në oligarkun, pastaj mori edhe check up-in, etj. Shpreh para jush bindjen time të thellë se kushti i të gjitha kushteve për t’i dhënë një përgjigje problematikave të mëdha të mjekëve është angazhimi bluzave të bardha në një lëvizje të fuqishme kundër kësaj qeverie”, tha Berisha.

 


Video