Autorët e atentatit shmangën kamerat. Kush e telefonoi i fundit Aleksandër Sadikajn?

14 June 2022, 21:54Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Autorët e atentatit shmangën kamerat. Kush e telefonoi i fundit
Vrasja e Aleksandër Sadikajt

Vrasja me bombë në makinë e Aleksandër Sadikajt duket se do të jetë një ndër dosjet më të vështira të policisë për ta zbardhur.

Grupi i hetimit ka përfunduar me mbledhjen e kamerave të sigurisë përgjatë hyrjes së autostradës Tiranë-Elbasan si dhe në disa zona të ndryshme të kryeqytetit ku dyshohet se 27-vjeçari ka lëvizur ditën e ngjarjes. Por duket se autorët e atentatit me bombë në makinë ndaj Aleksandër Sadikajt pasditen e 11 qershorit 2022 në Sauk kanë shmangur kamerat e sigurisë duke i shpëtuar kështu identifikimit.

Hetuesit thanë se deri tani nuk janë gjetur pamje që tregojnë vendin ku ndodhi shpërthimi.

Një tjetër element ku hetuesit po përqendrohen është edhe përfitimi i qelizave telefonike.

Nga burimet bëhet me dije se 27-vjeçari Sadikaj përdorte më shumë së 1 telefon e ndërsa nëpërmjet zbërthimit të tyre po shikohet mundësia e përfitimit të ndonjë prove.

Por kush e telefonoi i fundit Aleksandër Sadikajn dhe a ka lidhje me atentatorët? Kjo pritet të verifikohet.

Përveç dy pistave që kanë të bëjnë me aktivitetin e viktimës në Greqi dhe në Shqipëri, policia po heton edhe një procedim të nisur rreth 5 muaj më parë nga ish-SHÇBA ku subjekt ishte edhe nëna e viktimës.

Dyshohet se kjo e fundit shfrytëzonte ambientet e lokalit që e kishte në pronësi në Memaliaj, për aktivitetin e ushtrimit të prostitucionit.

Në atë hetim u pezulluan nga detyra edhe dy punonjës policie të Tiranës, të cilët dyshohet se bashkëpunonin me 53-vjeçaren në këtë aktivitet.


Video