Audienca në muajin Janar/ Top News, televizioni informativ më i ndjekur nga shqiptarët!

23 Shkurt 2026, 14:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Televizioni: Top News

Top News e ka nisur vitin 2026 aty ku mbylli 2025; lider në tregun mediatik shqiptar, duke u renditur si televizioni informativ më i ndjekur nga shqiptarët dhe me një diferencë të konsoliduar ndaj ndjekësve sa i përket lajmeve dhe informacionit.

Matja e shikueshmërisë për muajin janar 2026 në një kampion prej 4800 abonentësh në sistemin Flybox, tregon se Top News në janar ka arritur një audiencë prej 68.5 për qind, në një kampion matje prej 3300 shikues aktivë, të cilët kanë konsumuar 57 mijë e 500 orë shikimi.

Këto shifra jo vetëm që pozicionojnë qartësisht Top News në krye të televizoneve informative, përpara konkurrentëve si News24, ABC News, Ora News, A2 CNN, Report TV dhe Euronews Albania, por tregojnë se Top News po preferohet gjithnjë e më shumë nga shqiptarët si dritarja e tyre e informimit.

Kjo për shkak se të dhënat e janarit 2026, tregojnë një rritje me gati 3 për qind të audiencës dhe të shikuesve aktivë në krahasim me dhjetorin 2025 dhe mbi 1500 orë shikueshmëri më shumë po në krahasim me një muaj më parë.

Përtej përmbajtjes editoriale dhe ritmit informativ, suksesi i Top News lidhet ngushtë edhe me shtrirjen reale dhe të vazhdueshme të kanalit në hapësirat publike.

Top News, pjesë e Top Media transmetohet çdo ditë në mbi 2,000 ambiente shërbimi, përfshirë bare, restorante, hotele, institucione publike dhe private, si dhe hapësira pritjeje në Shqipëri dhe Kosovë.

Kjo prani e qëndrueshme e bën Top News burimin më të ekspozuar të informacionit në kohë reale, duke e shndërruar nga një televizion tradicional në një medium referencial të përditshëm, që ndiqet jo vetëm në familje, por edhe në jetën publike dhe profesionale.

Në një treg ku televizionet informative konkurrojnë fort për vëmendjen e publikut, shifrat e janarit tregojnë se Top News ka arritur të ndërtojë një raport besimi dhe vazhdimësie me audiencën, duke ruajtur epërsinë ndaj mediave të tjera informative që operojnë në të njëjtin segment.

Ky pozicionim e vendos Top News si televizionin informativ lider në hapësirën shqipfolëse, me ndikim të drejtpërdrejt si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, duke reflektuar një kombinim të suksesshëm mes përmbajtjes editoriale, aksesit të gjerë dhe pranisë së përditshme në jetën publike.

Paralelisht me lidershipin e Top News në segmentin informativ, Top Channel vijon prej vitesh të mbajë vendin e parë absolut në audiencën televizive në Shqipëri, duke konfirmuar statusin e tij si televizioni më i ndjekur në vend.

Sipas të dhënave të dhjetorit 2025, Top Channel arrin një shtrirje prej gati 82 për qind të audiencës, me gati 4,000 shikues aktivë dhe afërsisht 200 mijë orë shikimi, shifra që përbëjnë një rekord në tregun mediatik shqiptar.

Këto rezultate pasqyrojnë një dominim të qëndrueshëm ndër vite, të ndërtuar mbi prodhime origjinale, formate elitare, informim të besueshëm dhe një raport të konsoliduar besimi me publikun, duke e pozicionuar Top Channel si pikë referimi të padiskutueshme në panoramën audiovizive kombëtare.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Dokumenta bashkëngjitur


Video