Arrestohet në Londër i kërkuari nga SPAK për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, nis procesi i ekstradimit

27 August 2026, 18:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arrestohet në Londër i kërkuari nga SPAK për rrëmbimin
Korado Gështënja

Interpol Tirana bashkë me BKH në bashkëpunim me skuadrën kombëtare britanike të ekstradimeve në NCA lokalizuan dhe arrestuan një të kërkuar nga SPAK nën dyshimin si i përfshirë në rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e Jan Prengës.

Dokumentet e gjykatës të ekstradimeve në Londër “Westminster Magistrate Court” parë nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu tregojnë se është arrestuar për qëllim ekstradimi, Korado Gështënja.

Në Angli ai përdorte edhe mbiemrin Kështenja dhe emrin e rremë James Martin.

Kësaj gjykate iu tha se 35-vjeçari shqiptar kërkohet mbi bazën e një urdhër-arresti lëshuar nga SPAK dhe miratuar nga GJKKO  në ë Shqipërisë, për veprat penale të rrëmbimit dhe komplotit për importimin e drogave të Kategorisë A.

Përfaqësuesi i shtetit shqiptar në këtë proces ekstradimi tha se Korado Gështënja më ose rreth datës 17/01/2020, ka  privuar në mënyrë të paligjshme nga liria Jan Prengën, kundër vullnetit të tij.

“Më ose rreth datës 17/01/2020, ju keni bashkëpunuar në formën e një komploti me persona të tjerë për të importuar/eksportuar droga të Kategorisë A nga Ekuadori, konkretisht kokainë, në kundërshtim me ndalimin në fuqi për këto mallra”, i tha prokurori Gështenjës.

Seanca e radhës e ekstradimit do të jetë më 02/09/2026 ora 10:00 ndërsa Gështenja mbahet në një paraburgim të Londrës.

Mbetet e paqartë si i riu shqiptarë banues në St Leonards On Sea hyri në Angli.

Sipas raportimeve nga dosja e SPAK rezulton se Korado Gështenja ishte pjesë e vëzhgimit dhe më pas rrëmbimit të Jan Prengës.

Ai u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku edhe u pa për herë të fundit.

Sipas hetimeve, ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende.

Prokuroria ka provuar se rrëmbimi i Jan Prengës ishte porositur si akt hakmarrjeje për një sasi droge të humbur në Angli, ku përfshihej vëllai i viktimës, Ndrek Prenga.

Në këtë ngjarje dyshohet të jetë i përfshirë edhe Dritan Rexhepi./TCH


Video