RENEA ndalon "Kel Çamin", krahun e djathtë të Suel Çelës

9 June 2022, 19:03Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
RENEA ndalon "Kel Çamin", krahun e djathtë të Suel
Kelmend Xhaferri dhe Suel Çela

Kelmend Xhaferri është shoqëruar ditën e sotme nga policia gjatë aksionit të RENEA-s në Elbasan dhe Peqin për kapjen e personave të shpallur në kërkim pas operacionit të koduar “Plumbi i artë”. Burime bëjnë me dije se Xhaferri është ndaluar nga forcat RENEA teksa ka qenë duke lëvizur me një automjet

Kelmend Xhaferri ishte shpallur në kërkim pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit dhe plagosjes së 4 personave të tjerë në Elbasan gjatë një përplasjeje të simpatizantëve të PS dhe PD para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021, por mësohet se atij i është revokuar masa.

Ai akuzohej për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”. Ai dyshohej të ishte personi që ka plagosur dy ish-policët, Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga, që ishin pjesë e strukturës për mbrojtjen e votës të Partisë Demokratike.

Kelmend Xhaferri, i cili njihet ndryshe dhe si "Kel Çami", është një personazh i njohur në qytetin e Elbasanit. Ai po ashtu njihet si krahu i djathtë i Suel Çelës, i cili është një prej 14 të shpallurve në kërkim në kuadër të operacionit "Plumbi i Artë".

Kelmend Xhaferri u bë i njohur pak vite më parë nga përplasja me Policinë para tregut Ushqimor të Elbasanit. Ai ka dalë para drejtësisë vetëm për thyerjen e arrestit shtëpiak dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë aksionit të sotëm të RENEA-s për kapjen e personave të shpallur në kërkim pas operacionit të koduar “Plumbi i artë” janë ndaluar 10 persona në total.

 


Video