Arratisja e një personi nga ‘arresti i shtëpisë’, AMP arreston efektivin e Policisë në Dibër për shpërdorim detyre

10 Korrik 2026, 21:02Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto ilustrim

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Kukës-Dibër ka arrestuar efektivin e Policisë Megin Gani Ademi, 32 vjeç, për ‘shpërdorim detyre’.

AMP bën të ditur se punonjësi i policisë dyshohet se nuk ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ishte me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.

Njoftimi i AMP:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Drejtoria Rajonale Kukës-Dibër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër dhe në prezencën e prokurorit të gatshëm, ka arrestuar në flagrancë punonjësin e Policisë së Shtetit, Megin Gani Ademi, 32 vjeç, Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Dibër, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se punonjësi i policisë dyshohet se nuk ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale lidhur me largimin e shtetasit Amir Muaremi, i cili ishte me masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe në proces ekstradimi drejt Republikës Federale të Gjermanisë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Agjensia e Mbikqyrjes Policore mbetet e angazhuar për të hetuar çdo paligjshmëri të kryer në radhët e Policisë së Shtetit.


Video