Apeli i Posaçëm rrëzon GJKKO, rikthen për gjykim ish-prokurorin e Vlorës, Aurel Zarka

12 Nëntor 2025, 12:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Aurel Zarka

Gjykata e Apelit të Posaçëm prish vendimin e GJKKO për ish kryeprokurorin e Vlorës Aurel Zarka, kthen çështjen për rigjykim në shkallën e parë të gjyqësorit, pa dhënë arsyetim.

Vendimi u dha këtë të mërkurë nga treshja e gjyqtarëve Miliana Muça, Saida Dollani dhe Dhimitër Lara.

Në seancën e kaluar, mbrojtësi i tij ligjor Julian Mërtiri u shpreh se klienti i tii nuk ka qenë përdorues i aplikacionit Sky Ecc dhe se Aurel Zarka punonte në Vlorë dhe nuk mund të ndikonte në një çështje që ishte në Tiranë.

Përfshirja e tij në këtë çështje ishte artificiale, sipas Mërtirit, pasi të gjitha bisedat janë bërë nga të tjerët dhe nuk kishte përse ai të përfshihej në ketë marrëdhënie.

Zarka ankimoi vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion që e dënoi atë me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Yaris”, dënim që u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Vendimi për dënim në shkallë të parë u dha nga treshja e gjyqtarëve Erjon Çela, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, teksa Zarka u hetua nga prokurori Klodian Braho.


Video