Aksidenti me 3 viktima në Dibër, Policia arreston drejtuesin e "Benz-it" me targa angleze

5 January 2023, 13:42Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Aksidenti me 3 viktima në Dibër, Policia arreston drejtuesin e
Pamjet e aksidentit

Policia e Dibrës ka arrestuar drejtuesin e mjetit tip "Benz" me targa angleze, pas aksidentit tragjik të regjistruar mbrëmjen e djeshme në Rrugën e Arbërit. Bëhert fjalë për 28-vjeçarin Edison Lazri.

Masa e sigurisë, atij i është komunikuar në spital, ku po merr trajtim mjekësor, pasi mbeti i plagosur pas aksidentit.

Ai po udhëtonte me mjetin tip "Benz" me targa angleze nga Maqellara në drejtim të Tiranës me shpejtësi tej normave të lejuara dhe u përplas me mjetin tjetër tip "Benz" ngjyrë të bardhë, duke e marrë zvarrë për rreth 100 metra derisa u nda në dy pjesë.

Si pasojë e aksidentit, humbën jetën: Kujtim Istrefi ( Dehari ), 57 vjeç; Murat Istrefi (Dehari), 76 vjeç; Lulëzime Istrefi (Dehari), 45 vjeç dhe të plagosur shtetasit:Mërgim Lazri, 25 vjeç; Edison Lazri, 29 vjeç; Firuze Istrefi, 56 vjeç; Kadrie Markeçi, 19 vjeç.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Dibër, arrestuan shtetasin E.L., 28 vjeç, banues në fshatin Bllatë, Dibër. Arrestimi i tij u bë pasi me datë 04.01.2023 rreth orës 18.15, në aksin rrugor Bulqizë-Maqellarë në urën e fshatit Gjoricë duke drejtuar automjetin tip 'Benz', është përplasur me një automjet tjetër tip 'Benz', që drejtohej nga shtetasi K.I., 55 vjeç, banues në Maqellarë.

Si pasojë e këtij aksidenti humbi jetën drejtuesi i mjetit shtetasi K.I., dhe dy pasagjerët M.I(D), 74 vjeç; L.I., 51 vjeçe. Po si pasojë e këtij aksidenti mbetën të lënduar shtetaset F.I., 55 vjeçe; K.M., 18 vjeçe; M.L., 24 vjeç dhe shtetasi E.L, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.



Video