
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për ish-ministrin Lefter Koka.
Avokati i tij ka kërkuar masë më të butë sigurie, duke qenë se Koka është në gjendje jo të mirë shëndetësore. Për këtë Apeli ka dhënë mundësinë që ish-ministri të marrë mjekim jashtë qelisë sa herë të jetë e nevojshme.
Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor me urdhër të SPAK. Ndaj tij janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë te Fierit.
NJOFTIMI I GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më datë 05.01.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 10/214 akti, datë 28.12.2022 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim L.K., ndaj vendimit nr. 297 akti, datë 25.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt “Zëvendësimi i masës së sigurimit personal” dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 297 akti, datë 25.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.