
Një aksident i rëndë është shënuar pasditen e sotme në Bypass-in Pluk-Savër në Lushnjë, nga ku janë lënduar 5 persona, 2 prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.
Mësohet se automjeti ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, për të përfunduar më pas në mes të trafikndarëses dhe që shpërtheu në flakë.
Brenda automjetit ndodheshin A.Krasniqi, R.Krasniqi, A.Krasniqi, V.Krasniqi dhe B.Krasniqi.
Të gjithë të lënduarit ndodhen në Spitalin Rajonal të Lushnjës për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Dyshohet se shkak i aksidentit të jetë bërë shpejtësia tej normës së lejuar, shoqëruar gjithashtu me lagështinë në rrugë për shkak të shirave.
Ky aks rrugor është problematik për drejtuesit e mjeteve sa herë bie shi.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.