Agron Shehaj denoncon: Rama po i fal 1 milion m2 tokë në Vlorë “Osmanit”

1 Korrik 2026, 18:19Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Burak Ozçivit

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, denoncoi sot një vendim të qeverisë, përmes të cilit, sipas tij, Edi Rama ka shpallur investitor strategjik kompaninë RAMS Albania, duke i dhënë rreth 88.8 hektarë (gati 1 milion m²) tokë në Vlorë.

Gjatë deklaratës së tij, Shehaj publikoi dokumentin e vendimit të qeverisë dhe tha se kompania ka si përfaqësues publik aktorin turk të njohur si “Osmani”, duke e cilësuar këtë si një tjetër rast të dhënies së pronës publike për interesa të Ramës.

“Tani, është e qartë që Edi Ramës i ka ardhur fundi dhe po kërkon në çdo mënyrë të shpëtojë, t’i shpëtojë drejtësisë dhe të mbajë pushtetin”, thekson Shehaj.

Shehaj i referohet një vendimi të Këshillit të Ministrave që po qarkullon gjerësisht në rrjet, ku thuhet se qeveria shqiptare ka miratuar transferimin e 88.5 hektarëve tokë shtetërore në qytetin e Vlorës, e cila do të vihet në dispozicion të kompanisë “RAMS Albania” për zhvillimin dhe realizimin e projektit të investimit strategjik të quajtur “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, ku do të ndërtohet një zonë e lirë ekonomike.

Kompania në fjalë rezulton të jetë pronësi të Mehmet Faruk Burbul, pronar i korporatës ndërkombëtare gjigante “RAMS Global” me seli në Almaty të Kazakistanit

Dyshimet për përfshirjen e aktorit turk janë ngritur nga fakti se prej marsit të vitit 2025, Burak Ozçivit u shpall zyrtarisht imazh dhe partner zyrtar i “RAMS Global” në disa projekte të mëdha ndërkombëtare në Irak dhe Kazakistan.

Kujtojmë se sezonin veror të vitit të kaluar aktori turk ishte me pushime në Vlorë.

 

 

 


Video