
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) po mbështet nismat që synojnë ndërgjegjësimin dhe fuqizimin e të rinjve në luftën kundër bullizmit, dhunës, diskriminimit dhe kriminalitetit.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Bullizmit, kryeadministratorja e AAPSK-së, Risena Xhaja, mori pjesë në një aktivitet të zhvilluar në ambientet e Gjimnazit “Besnik Sykja”, ku nxënësit përcollën përmes punimeve artistike mesazhe kundër dhunës dhe bullizmit.
Gjatë aktivitetit, Xhaja vlerësoi angazhimin e Qendrës Assist Albania në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, promovimin e vlerave demokratike dhe fuqizimin e të rinjve.
AAPSK ka mbështetur, përmes Fondit të Posaçëm për Parandalimin e Kriminalitetit, projektin “Edukim dhe Fuqizim i të Rinjve Kundër Krimit”. Nisma synon të kontribuojë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, si dhe në përfshirjen e tyre aktive në parandalimin e kriminalitetit.
Sipas AAPSK-së, një rëndësi e veçantë i kushtohet përdorimit të pasurive të konfiskuara nga veprimtaritë kriminale për krijimin e mundësive konkrete në komunitet, duke financuar projekte që investojnë te brezi i ri.
“Parandalimi i kriminalitetit fillon me edukimin, ndërgjegjësimin dhe fuqizimin e të rinjve”, thekson Agjencia në njoftimin e saj.