
Një shpërthim me eksploziv ka plagosur katër persona, mes tyre dy efektivë policie, në zonën Kolonos të Athinës.
Ngjarja ndodhi në rrugën Platonos, pasi policia mbërriti për të kontrolluar një çantë të dyshimtë të lënë në hyrje të një pallati. Autoritetet greke po hetojnë rrethanat e shpërthimit dhe nuk përjashtojnë mundësinë e një sulmi të organizuar.
Sipas raportimeve paraprake, administratori i pallatit kishte njoftuar policinë për një çantë që dyshohej se përmbante lëndë narkotike, duke kërkuar ndërhyrjen e efektivëve.
Dy policët që mbërritën në vendngjarje hapën çantën dhe, sipas dëshmisë fillestare të njërit prej tyre, gjetën materiale që ngjanin me drogë, një peshore dhe disa pilula.
Në rrethana që ende nuk janë sqaruar, një pajisje shpërthyese e improvizuar, që dyshohet se ndodhej brenda çantës, shpërtheu duke plagosur dy efektivët dhe dy persona të tjerë, mes tyre edhe administratorin e pallatit.
Të katër të plagosurit u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej policëve ka pësuar dëmtime më të rënda.