
Në moshën vetëm 19-vjeçare, Rani është shndërruar në një nga zërat kryesorë të protestave studentore në Francë, duke mobilizuar nxënës dhe studentë nga qindra shkolla të mesme dhe universitete. I lindur në lagjen popullore Le Pile, në qytetin Roubaix, dhe i rritur në Uattrelos, i riu franko-algjerian ka dalë në qendër të vëmendjes për angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të nxënësve dhe studentëve.
Pas zgjedhjes në krye të Unionit Sindikal të Nxënësve të Shkollave të Mesme (USL), Rani është bërë një nga figurat më të spikatura të mobilizimeve kundër problemeve të sistemit arsimor francez. Ai kërkon kushte më të mira në shkolla, arsim dinjitoz dhe mundësi të barabarta për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë që studiojnë në zonat e varfra, ku klasat janë të mbipopulluara, mungon personeli dhe nxënësit mund të mbeten për muaj të tërë pa mësues.
Një tjetër pikë e fortë e kundërshtimit të tij është sistemi Parcoursup, platforma përmes së cilës zhvillohet procesi i pranimit në universitetet franceze. Rani dhe bashkëpunëtorët e tij e kritikojnë këtë sistem, duke e konsideruar procesin e përzgjedhjes të padrejtë dhe jo të barabartë për të gjithë kandidatët.
Megjithatë, mesazhi i të riut nuk kufizohet vetëm te kërkesat për reforma. Rani ka dënuar hapur dhunën dhe ka bërë thirrje që mobilizimi të vazhdojë përmes protestave dhe presionit qytetar, pa u shndërruar në akte dhune. Pas takimit të 2 tetorit me ministrin e Arsimit, ai u shpreh kundër dhunës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të lëvizjes deri në marrjen e masave konkrete.

Rani e refuzon etiketimin si udhëheqës, duke e cilësuar veten si zëdhënës të shqetësimeve të përditshme të nxënësve dhe studentëve. Për të, qëllimi është që pakënaqësitë individuale të kthehen në kërkesa kolektive dhe të sjellin ndryshime reale në arsim.
I konsideruar si një figurë e afërt me Jean-Luc Mélenchon, kreun e së majtës franceze La France insoumise, Rani është përfshirë edhe në jetën politike lokale, duke kandiduar në zgjedhjet bashkiake në Uattrelos në një listë të afërt me këtë forcë politike.
Në një kohë kur protestat e të rinjve kanë tërhequr vëmendjen në Francë, qëndrimi i tij synon të mbajë të bashkuara dy kërkesa: të drejtën për të protestuar dhe refuzimin e dhunës. Mesazhi i Ranit është se mobilizimi duhet të vazhdojë, por me synimin për të fituar të drejta dhe reforma konkrete përmes veprimit kolektiv.