
Qeveria vendosi të heqë taksën e qarkullimit që rëndon mbi karburantet dhe e zhvendosi atë te taksa vjetore e makinave. Me formulën e re të propozuar, çdo makinë do të paguajë një taksë vjetor e të dyfishuar.
Por a prodhon më shumë drejtësi kjo lëvizje e qeverisë?
“Për mua kjo nismë nuk ofron më shumë barazi fiskale. Taksa e qarkullimit ishte më e drejtë të mbetej te nafta.
Çdokush paguan për karburantin që konsumon dhe jo për makinën që ka. Me formulën e re, barra e taksave për çdo mjet nga viti ardhshëm dyfishohet”, sqaroi në emisionin e-Zone, Drakuli Lumi, ish-drejtor eknik në DPSHTRR.
Në formulën e re, ajo që ka ndryshuar është dyfishimi i taksës fikse për naftën dhe benzinën. Për rrjedhojë edhe taksa vjetore rritet dyfish.
“Më këtë formulë më të fituarit janë ata, që qarkullojnë më shumë me makinë. Nëse mjetin e përdor pak, atëherë je i penalizuar me rritjen e taksës vjetore”, tha Lumi.
Sipas Ish-drejtorit, logjika e formulës së propozuar aplikohet edhe në vendet e BE, çka edhe Shqipëria është e detyruar ta zbatojë me të njëjtin standard.
“Ka një qëllim formula e propozuar, të dekurajojë përdorimin e makinave të vjetra. Do të jemi të detyruar që zbatojmë këto standarde, që të dekurajojmë mjetet e vjetra në treg pasi ato ndotin më shumë mjedisin.
Në vendet e BE është arritur dakordësi që vetëm për efekt ndotjeje, do të dalin nga qarkullimi mjetet e certifikuara si Euro 3 dhe Euro 4”, u shpreh Drakuli Lumi.
Paralelisht me dyfishimin e takës vjetore, qeveria ka vendosur një taksë fikse 15 mijë lekë për mjetet elektrike, por edhe një rritje të taksës për mjete të luksit, nga 21 në 40 mijë lekë në vit.