Studentët kanë njoftuar zhvillimin e protestës së radhës kombëtare këtë të shtunë, më 7 nëntor, në orën 14:00, përpara Ministrisë së Arsimit.
Pas më shumë se 150 ditësh protestë të pandërprerë, organizatorët bëjnë me dije se do të ndryshojnë strategjinë e organizimit, duke kaluar në dy protesta kombëtare në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë, në të njëjtën orë.
Në deklaratën e tyre, studentët theksojnë se kërkesa kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vijon të mos marrë përgjigje nga qeveria. Ata shprehen se janë të përgatitur për një betejë të gjatë dhe se kjo fazë e re organizimi synon të rrisë mobilizimin e studentëve dhe mbështetësve të tyre.

Edhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka njoftuar sot se ditën e shtunë, më 7 nëntor, do të zhvillojë një tjetër protestë.
Berisha tha se tubimi do të nisë në orën 12:00 dhe do të jetë protesta më e fuqishme që ka njohur vendi. Ashtu si më parë, Berisha tha se kjo protestë do të jetë në mbështetje të tubimeve që studentët po organizojnë tashmë prej disa javësh.
Megjithatë, vlen të theksohet se në protestën e fundit më 31 tetor, të rinjtë i larguan deputetët e Partisë Demokratike, duke i cilësuar po aq fajtorë sa qeveria, për kushtet në të cilat ndodhet vendi.