ZYRTARE/ Kontratë 18-mujore, FSHF zyrtarizon Silvinho-n si trajner të Kombëtares

2 Janar 2023, 17:43Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sylvio Mendes Campos Junior

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar trajnerin e ri të kombëtares kuqezi.

Ashtu siç dhe u raportua pak ditë më parë në mediat, bëhet fjalë për 48-vjeçarin brazilian, Sylvio Mendes Campos Junior, ose i njohur ndryshe për publikun si Silvinho. 

Ai do të pasojë në krye të stolit të kombëtares shqiptare, italianin Edoardo Reja, të cilit i përfundoi kontrata në muajin dhjetor.

Silvinho ka përzgjedhur si ndihmës të tij argjentinasin Pablo Javier Zabaleta Girod dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior.

Më datë 9 janar, Silvinho dhe stafi i tij do të jenë në Tiranë për të hedhur firmat në kontratë dhe më pas për të bërë prezantimin e tyre në ora 11:00 në sallën e stadiumit “Air Albania”.

Njoftimi i FSHF-së

Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur marrëveshjen me trajnerin Sylvio Mendes Campos Júnior për të marrë drejtimin e ekipit tonë kombëtar.

Silvinjo do të zëvendësojë në këtë detyrë italianin Edoardo Reja, i cili ishte në krye të kuqezinjve për 3 vite e gjysmë duke arritur rezultate të rëndësishme dhe duke rinovuar ndjeshëm skuadrën me element të rinj premtues. Federata Shqiptare e Futbollit e falënderon Edi Rejan për kontributin e tij të çmuar në drejtimin e Kombëtares gjatë këtyre viteve dhe vlerëson maksimalisht përvojën e bashkëpunimin që ka ofruar në rritjen e mëtejshme të Kombëtares shqiptare.

Sylvio Mendes Campos Júnior, i njohur për publikun si Silvinjo, ka përzgjedhur si ndihmës të tij argjentinasin Pablo Javier Zabaleta Girod dhe brazilianin Dorival Guidoni Junior.

Marrëveshja mes FSHF dhe stafit të ri drejtuar nga Silvinjo parashikon një kohëzgjatje 18-mujore deri në përfundim të Euro 2024 dhe aspekti financiar do të bazohet në rezultatet dhe arritjen e objektivave. Marrëveshja ka në thelb të saj arritjen e objektivit të vetëm që ka Shqipëria në këto eliminatore, kualifikimi për në finalet e Euro 2024. Në rast të arritjes së objektivit është rënë dakord që trajneri dhe stafi i tij të përfitojnë bonuse të konsiderueshme.

48 vje?ari Silvinjo, i cili vjen me një CV të pasur si lojtar dhe trajner, ka një eksperiencë të pasur si zëvendës trajner menjëherë pas lënies së futbollit dhe trajner më pas. Gjithçka nis në 2011 kur merr pozicionin e zëvendës trajnerit te Cruzeiro, për të kaluar më pas te Sport Recife, Nautico, Corinthias, Inter, zëvendës trajner i Brazilit për tre vite përpara se të merrte drejtimin e Olimpik Lionit në Francë dhe më pas Korinthiasit në kampionatin brazilian.

Në karrierën e tij të pasur si lojtar, Silvinjo është aktivizuar te Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona dhe Manchester City ku mbylli karrierën e tij

Më datë 9 janar, Silvinjo dhe stafi i tij do të jenë në Tiranë për të hedhur firmat në kontratë dhe më pas për të bërë prezantimin e tyre në ora 11:00 në sallën e stadiumit “Air Albania”.

Video