Ylli, të cilin Sylvinho nuk e fton tek Shqipëria

1 Dhjetor 2025, 20:40Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Anis Mehmeti është ndër futbollistët shqiptarë më në formë aktualisht në arenën ndërkombëtare.

Mesfushori me tipare sulmuese, Anis Mehmeti është padyshim ndër futbollistët shqiptarë më në formë në arenën ndërkombëtare.

Lojtari i skuadrës angleze Bristol City, që garon në Championship, po tregon paraqitje shumë të mira edhe në sezonin e ri, me ekipin që synon misionin e vështirë, ngjitjen në Premier League.

Kjo skuadër aktualisht është në vendin e gjashtë në tabelë, ndërsa ‘motori’ i tyre në këtë sezon del të jetë pikërisht futbollisti shqiptar.

24-vjeçari ka shënuar plot gjashtë gola, dhe ka bërë po aq asiste në kuadër të këtij sezoni në kategorinë e dytë të futbollit anglez, statistika këto që nuk janë për t’u mos kushtuar vëmendjen që meritojnë.

Championship njihet si një garë brenda së cilës ka shumë kualitet dhe konkurrencë, dhe të dëshmohesh në nivele të tilla në këtë formë, sigurisht se nuk është aspak e lehtë.

Megjithatë, përkundër formës së mirë, lojtari nuk u ftua nga Shqipëria as në grumbullimet e fundit, në të cilat pritej vendim ndryshe nga Sylvinho.

Në fakt, po i njëjti, deklaroi pak kohë më parë kur u pyet për lojtarin në fjalë, se në pozicionin ku luan Mehmeti ka shumë lojtarë.

Por që Mehmeti është ndër lojtarët më në formë aktualisht, e dëshmon edhe fakti që vetëm një lojtar në Championship numëron më shumë asiste, dhe ai është mbrojtësi i majtë i Hull City, Ryan Giles.

Anis Mehmeti është rritur në futbollin anglez dhe është formuar në akademitë e Fulham, Tottenham dhe Norwich, para se të shpërthente te Wycombe Wanderers, ku u bë një nga talentet më të vlerësuara të League One.

Performancat e tij i hapën dyert për një transferim të rëndësishëm te Bristol City, ku sot është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.


Video