
Gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Partizanit dhuroi emocione dhe gola, por fituesi nuk u vendos pas 120 minutave lojë, por pas lotarisë së penalltive.
Me të nisur ndeshja, Partizani menjëherë gjeti golin me Esat Malën në minutën e tretë.
Vllaznia reagon menjëherë teksa në 27’ gjen golin e barazimit me Aralicën që godet dhe topi i devijuar nga Bitri shkon në rrjetë.
Goli rikthen dhe qetësinë në fushë me ekipet më të kujdesshme, ndërsa pjesa e dytë është më shumë e luftuar ku frika nga gabimet bën dhe që ekipet të luajnë më të mbyllura.
Skuadrat shkojnë në 30 minuta shtesë dhe këtu rastet krijohen, por nuk shfrytëzohen dhe në fund vendosin penalltitë.
Partizani i nis shumë keq teksa Skuka humbet të parën menjëherë dhe në fund rezulton vendimtare penalltia e Latifit duke e mbyllur ndeshjen 5-4 me penallti.
Vllaznia kështu shkon në finale për të mbrojtur trofeun e fituar vitin e kaluar dhe ku do të gjejë Laçin e Duros që sot eliminuan Teutën duke barazuar 1-1 në sfidën e kthimit e ku fituan 2-1 të parën.