
Thiago Motta ka folur për herë të parë pas shkarkimit si trajner i Juventusit.
Në një intervistë për të përditshmen “Corriere della Sera”, tekniku 42-vjeçar mendon se bardhezinjtë duhet t’i kishin dhënë më shumë kohë.
“Juventusi duhet që të më jepte kohë, edhe pse është e vërtetë se dy ndeshjet e fundit u luajtën keq dhe drejtuesit bardhezinj në mënyrë legjitime, zgjodhën një tjetër rrugë. Jam i zhgënjyer sepse nuk shkoi se si shpresoja, sidomos në Kupën e Italisë dhe në Ligën e Kampioneve. Por nuk dua të flas për falimentim, ishim një pikë larg vendit të katërt, objektivi primar në nisje të sezonit”, u shpreh Thiago Motta.
Ish-tekniku i “Zonjës së Vjetër” hodhi poshtë zërat për përplasje me drejtorin sportiv Cristiano Giuntoli dhe lojtarët.
“Kush e thotë është një gënjeshtar. Kisha një raport të mirë me të gjithë futbollistët. Nuk pranoj gënjeshtra. Nuk kam pasur kurrë një sherr me drejtorin, kurrë! Ashtu siç nuk i kam thënë Yildiz se ai nuk ishte Messi”, shtoi Motta.
Thiago Motta falenderoi tifozët bardhezinj për emocionet që përjetuan së bashku, ndërsa ai thekson se “Zonja e Vjetër” duhet që të rikthehet të fitojë.