Ronaldo: Botërori i ardhshëm do të jetë i fundit në karrierën time

11 Nëntor 2025, 20:35Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Cristiano Ronaldo

Cristiano Ronaldo ka konfirmuar se Botërori i vitit 2026 do të jetë i fundit në karrierën e tij. Në një intervistë për “CNN”, 40-vjeçari portugez, që aktualisht ndodhet pranë shifrës prej 1,000 golash në karrierë, deklaroi se pritet të tërhiqet nga futbolli aktiv brenda një ose dy vitesh.

Ronaldo tha se ndihet në formë të mirë fizike dhe dëshiron të shijojë çdo moment në fushë. Ai theksoi se gjatë 25 viteve të karrierës ka arritur gjithçka, duke thyer shumë rekorde në nivel klubesh dhe kombëtaresh.

“Kupa e Botës 2026 do të jetë padyshim Botërori i fundit për mua. Do të jem 41 vjeç atëherë. Në futboll përpiqem ta shijoj çdo moment në maksimum. Për 25 vjet kam bërë gjithçka. Mbaj shumë rekorde, si në nivel kolektiv ashtu edhe në atë kombëtar. Jam vërtet i lumtur, kështu që dua të jetoj të tashmen dhe ta shijoj atë.

Dua të vazhdoj, sepse ndihem mirë dhe trupi im është në formë të mirë. Qëllimi im në futboll është i njëjtë me atë në jetë, që është t’i bëj njerëzit të lumtur. Le të jemi të sinqertë, megjithatë, kur them se do të dal në pension së shpejti, dua të them pas një ose dy vitesh”, deklaroi Ronaldo.

Portugalia është shumë pranë kualifikimit në fazën finale të Botërorit 2026, ku Ronaldo pritet të marrë pjesë për herë të gjashtë.


Video