Vllaznia thyen Dinamon, Tirana prek fundin

8 Nëntor 2025, 20:16Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Balaj vendos supersfidën

Vllaznia ka arritur të marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë Dinamos, duke u konfirmuar si një nga pretendentet kryesore të këtij sezoni.

Goli i Bekim Balajt mjaftoi për 3 pikët në “Loro Boriçi”, ku shkodranët kanë në total 6 fitore në 6 ndeshje. Kapiteni zhbllokoi duelin në minutën e 13-të.

Dinamo barazon shifrat 20 minuta më vonë me Bernard Berishën, por goli anulohet për pozicion të parregullt.

Skuadra e Ilir Dajës krijoi volum loje dhe raste të shumta në pjesën e dytë, por portieri Pohls u konfirmua i pakalueshëm në këtë mbrëmje. Në anën tjetër, Teqja ndali një gol të sigurt të Kallakut. Me këtë fitore, Vllaznia blindon vendin e parë me 23 pikë, të paktën edhe për një javë.

Tirana ka prekur fundin, duke humbur ndeshjen e katërt radhazi. Këtë herë bardheblutë e pësuan nga Vora në “Selman Stërmasi” me rezultatin 0-2. Patrik Bardhi dhe Kasalla në pjesën e parë vulosën fatet e kësaj sfide për t’i zbritur kryeqytetasit në vendin e fundit me 6 pikë. Vora për momentin pozicionohet e gjashta me 14 pikë.


Video