PSG shkarkon Galtier, por Bayern kërkon 8 mln euro për Nagelsmann

7 June 2023, 17:41Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PSG shkarkon Galtier, por Bayern kërkon 8 mln euro për Nagelsmann
Christophe Galtier

Christophe Galtier nuk do të jetë më trajner i Paris Saint-Germain. Lajmi që qarkullonte prej ditësh u zyrtarizua nga kampionët e Francës, që falenderuan teknikun për sezonin e kaluar në klub dhe ndërprenë marrëdhënien.

Largimi i Galtier dukej i pashmangshëm pas zhgënjimit në Champions League, me skuadrën që u eliminua në fazën e 1/8 nga Bayern.

Problemet e brendshme mes klubit dhe trajnerit, por edhe mes lojtarëve u reflektuan edhe në kampionat, ku parizienët e fituan titullin me vetëm një pikë më tepër se Lens. Shumë pak për një klub ambicioz si Paris Saint Germain, që synon të nisë një projekt fitues me Julian Nagelsmann.

Tekniku gjerman është preferenca e klubit dhe pritet të udhëtojë drejt Parisit në orët në vijim. Por, përveç se duhet ta bindin trajnerin me krijimin e një skuadre cilësore, francezët duhet të bëjnë llogaritë edhe me një pengesë tjetër.

Nagelsmann është ende nën kontratë me Bayern dhe klubi gjerman pretendon 8 milionë euro që ta lënë të lirë. Tekniku kishte firmosur deri në vitin 2026 me bavarezët, ku përfitonte 8 milionë euro në sezon. Shifra e pretenduar nga Bayerni nuk është e parezistueshme, megjithatë parisienët do provojnë të negociojnë uljen e shpenzimeve.


Video