
Trajneri i Egnatias së Rrogozhinës në Superligën e futbollit, Edlir Tetova i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Për fat të mirë gjithçka ka kaluar me sukses dhe 42-vjeçari është në gjendje të stabilizuar.
Mësohet se mbrëmjen mes të hënës dhe të martës, Tetova ka pasur shqetësime dhe është dashur ndërhyrja me urgjencë e ambulancës për ta dërguar në një nga spitalet private të Tiranës.
Pas kontrollit të detajuar, mjekët e kanë parë të arsyeshme për një ndërhyrje për vendosjen e stentave në zemër. Të martën (dje), operacioni ka kaluar me sukses dhe gjendja e trajnerit raportohet e mirë, por ai qëndron ende nën kujdesin e mjekëve.
Tanimë pritet të mësohet se sa kohë do qëndrojë Egnatia pa trajnerin në stol, me shëndetin që është prioritet.