
Dita e fundit e merkatos, ka qenë tepër intensive për Milanin, me kuqezinjtë që kanë bërë lëvizje të shumta, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Fillimisht u zyrtarizua Santiago Gimenez, i cili kishte zbarkuar në Itali prej dy ditësh. Sulmuesi firmosi kontratën deri në Qershor të vitit 2029, ndërsa zgjodhi të mbajë fanellën me numrin “7”.
Gimenez i kushtoi arkave të kuqezinjve 35 milionë Euro dhe do të marrë vendin e Alvaro Moratës, i cili një ditë më parë kaloi të Galatasaray.
Një tjetër përforcim në repartin e avancuar për Milanin ishte edhe Joao Felix. Sulmuesi portugez ishte dëshirë e trajnerit Sergio Conceicao dhe marrëveshja me Chelsea u arrit për një huazim deri në fund të sezonit, me rrogën e lojtarit që do të paguhet nga italianët.
Sa i përket largimeve, Noah Okafor kaloi te Napoli. Bëhet fjalë për një huazim për 2 milionë Euro, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, për 23 milionë Euro.
Sakaq, Milan ka me të drejtë blerjeje edhe Riccardo Sottil nga Fiorentina për të zëvëndësuar Okafor.
Me kuqezinjtë e mbylli edhe mesfushori Ismael Bennacer, i cili do të luajë në Francë për Marseille. Ishte vetë algjeriani që kërkoi me ngulm të transferohej te skuadra franceze. Ky operacion u mbyll në huazim, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit për 10 milionë Euro.
Vendin e Bennacer te Milani e ka marrë Ëarren Bondo. 21-vjeçari francez është blerë te Monza për shumën e 10 milionë Eurove. Te këta të fundit do të kalojë në huazim Zeroli, lojtar i akademisë së Milanit.
Më herët nga kuqezinjtë u largua edhe Davide Calabria, i cili firmosi me Bologna-n, ndërsa në vendin e tij u afrua Kyle Walker nga Manchester City.