Katër të arrestuar për thirrjet raciste ndaj Vinicius Jr.

23 May 2023, 17:26Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Katër të arrestuar për thirrjet raciste ndaj Vinicius Jr.
Vinicius

Policia spanjolle bën me dije se katër persona janë arrestuar të martën për thirrjet raciste ndaj futbollistit brazilian Vinicius në një ndeshje që u luajt midis Valencias dhe Real Madridit në fundjavën që lam pas.

Arrestimet në Valencia vijnë një ditë pasi kreu i federatës së futbollit, Luis Rubiales, tha se futbolli spanjoll ka një problem racizmi, si dhe pas ankesës për krime racore të depozituar nga Real Madrid.

Pas sharjeve që iu drejtuan gjatë ndeshjes së ligës spanjolle të dielën, Vinicius Jr, në një postim në rrjetet sociale, e quajti abuzimin racist “çnjerëzor” dhe u kërkoi sponsorëve dhe transmetuesve që përgjegjësinë ta mbajë La Liga.

Më herët gjatë ditës, policia tha se katër burra u arrestuan në Madrid, tre prej të cilëve ishin anëtarë të “një grupi radikal tifozësh të një klubi madrilen”, të cilët dyshohen si autorët e varjes së një kukulle të Vinicius Jr në një urë në fillim të këtij viti.

Sulmuesi ka marrë mbështetjen e Real Madridit, ndërkohë që vajza e yllit të futbollit Pele, Kelly Cristina Nascimiento, shprehu zemërim për ngjarjen në stadiumin “Mestalla” të Valencias.

Në një video të postuar në Instagram, vajza e Pele tha se Spanja, La Liga dhe Real Madridi “duhet të kenë turp” për ngjarjet që ndodhën gjatë ndeshjes të së dielës.

Ajo u bëri thirrje organeve drejtuese të futbollit që të bashkohen dhe të marrin masa efektive dhe të ashpra kundër sulmeve raciste ndaj futbollistëve.

Edhe ministrja për barazinë racore në Brazil Aniel Franko shprehu mbështetjen për lojtarin e Los Blancos e shtoi se është diçka e papranueshme që në 2023 të flitet ende për racizmin.

 


Video