Karim Benzema është fituesi i Topit të Artë 2022.
Sulmuesi i Real Madrid u vlerësua për sezonin e tij fantastik, ku fitoi si protagonist Champions League dhe kampionatin spanjoll.
Pasi mori këtë trofe, francezi bëri një sërë falënderimesh, si dhe zbuloi se Ronaldo “fenomeni” është idhulli i tij.
Sulmuesi i Real Madrid theksoi ndër të tjera se lumturia e tij për fitoren e këtij trofeu ishte maksimale duke ditur se i pranishëm aty ishte Ronaldo.
“Jam shumë i lumtur që Ronaldo “fenomeni” është këtu pasi është idhulli im. Është e pamundur që një sulmues tjetër të bëjë atë që ka bërë ai. Nëse do të luaja në një skuadër me Ronaldon, kurrë nuk do kërkoja të luaja unë para tij”, tha Benzema.
Për portierët çmimin e mori Thibaut Courtois i Real Madrid.
Ndërkohë, 18-vjeçari Gavi ka fituar Çmimin Kopa, që i jepet futbollistit më të mirë nën 21 vjeç.
Mesfushori i Barcelonës ka lënë pas lojtarin e Real Madrid, Eduardo Camavinga, dhe talentin e Bayern Munchen, Jamal Musiala.