Alex Zanardi, i cili ka ndërruar jetë në moshën 59-vjeçare, ishte një hero i shekullit XXI. Një njeri që frymëzoi miliona njerëz përmes shpirtit të tij të pathyeshëm përballë vështirësive të pabesueshme. Një ikonë e dy sporteve të ndryshme.
Italiani vdiq të premten, gati gjashtë vite pas një aksidenti të rëndë rrugor gjatë garës me handbike, një mjet me të cilin ai u bë katër herë kampion paralimpik dhe 12 herë kampion bote.
Ky ishte kapitulli i dytë i suksesit të tij sportiv, pas një të parit ku kishte arritur rezultate të rëndësishme si pilot garash, duke garuar për disa sezone në Formula 1 dhe duke u bërë dy herë kampion në serinë amerikane IndyCar.
Vija ndarëse mes këtyre dy periudhave të jetës së tij ishte një aksident i tmerrshëm në pistën e Lausitzring në Gjermani, ku Zanardi humbi të dy këmbët, pjesën më të madhe të gjakut dhe u shpëtua nga vdekja vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë mjekësore.
Zanardi ishte një njeri që përjetoi shumë dhimbje në jetën e tij, por që gjithmonë ruajti një qëndrim pozitiv, pavarësisht vështirësive që përballej.
Ai ishte gjithashtu një njeri i sjellshëm, i ngrohtë, karizmatik dhe i sinqertë, shumë i dashur nga të gjithë. Aftësia e tij për të shpjeguar mënyrën si kishte kapërcyer sfidat personale i bënte këto përvoja më të kuptueshme dhe u jepte shpresë njerëzve në mbarë botën.
Ajo që e mbajti gjallë Zanardin dhe e lejoi të rikthehej sërish në nivele të larta sportive ishte forca e tij e jashtëzakonshme e vullnetit.
“Jam shumë me fat”, kishte thënë ai dikur.
“Ka një lidhje të fortë mes asaj që ndodhi para dhe pas, në kuptimin që unë arrita të vazhdoj në këtë jetë të re. Kundër shumë gjërave. Nuk e ndiej sikur po jetoj një jetë të dytë. Është e njëjta jetë. Kam qenë në gjendje të përqafoj gjëra që nuk do t’i kisha përjetuar kurrë nëse nuk do të kishte ndodhur ajo që ndodhi. Kjo nuk është domosdoshmërisht gjë e keqe. Jam shumë rehat në këtë jetë të re ku kam bërë shumë gjëra të reja, 99% e të cilave lidhen drejtpërdrejt me gjendjen time. Pra, pas asaj që ndodhi, kam arritur ta kthej në një mundësi.”

Ai pati tre sezone të pjesshme nga 1991-1993 me ekipet Jordan, Minardi dhe Lotus, duke treguar herë pas here potencial, përpara se të pësonte një tronditje të rëndë në aksidentin në Spa, në kthesën Eau Rouge në vitin 1993.
Kur u rikthye vitin pasues, Lotus ishte në vështirësi të mëdha financiare dhe kur ekipi u shpërbë në fund të vitit 1994, karriera e tij në Formula 1 dukej e përfunduar.
Në vitin 1996 ai siguroi një vend në kampionatin amerikan CART me ekipin Ganassi, gjë që i ndryshoi karrierën.
Zanardi fitoi dy gara në vitin e parë dhe më pas u bë dominues i kampionatit, duke fituar dy tituj radhazi në 1997 dhe 1998.
Performancat e tij në SHBA tërhoqën sërish vëmendjen e Formula 1, por rikthimi me Williams në 1999 nuk funksionoi siç pritej.
Ai më vonë pranoi se ndoshta nuk i kushtoi përkushtimin e duhur, ndërsa edhe Williams ishte në rënie. Marrëdhënia nuk u konsolidua dhe në fund të vitit ai u largua nga ekipi.

“Kujt i intereson për këmbët e mia? Unë jam gjallë”
Në vitin 2001 u rikthye në CART, duke garuar për ekipin e Mo Nunn.
Në garën në Lausitzring, vetëm katër ditë pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA, ndodhi aksidenti që i ndryshoi jetën.
Pas daljes nga bokset, ai humbi kontrollin dhe u përplas në pistë. Piloti kanadez Alex Tagliani e goditi makinën e tij me rreth 320 km/h, duke ia shkatërruar pjesën e përparme.
Aksidenti ishte shkatërrues. Makina e Zanardit mbeti në pistë dhe ai humbi sasi të madhe gjaku.
Zemra e tij ndaloi shtatë herë. Ai mbijetoi për gati një orë me më pak se një litër gjak, falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipit mjekësor të drejtuar nga Dr. Steve Olvey.
Duke kujtuar momentin kur u zgjua në spital, Zanardi tha: “Ndjeva gëzimin më të madh që kam përjetuar ndonjëherë në jetën time. Dhimbja ishte e papërshkrueshme. Por unë isha gjallë. Kujt i interesonte për këmbët e mia? Unë jam gjallë.”
Ishte fundi i karrierës së tij në garat me njëvendëshe, por ai nisi rehabilitim të gjatë dhe u pajis me proteza.
Në vitin 2003 ai u rikthye në pistë me një makinë të përshtatur, duke përfunduar simbolikisht 13 xhirot e mbetura nga gara e ndërprerë.
Më pas garoi në kampionatin WTCC me BMW dhe fitoi disa gara.
Më vonë u përqendrua në handbike dhe arriti sukses të jashtëzakonshëm: në 2011 fitoi maratonën e Nju Jorkut, ndërsa në Lojërat Paralimpike të Londrës 2012 fitoi dy medalje ari. Në Rio 2016 përsëriti suksesin.
Në total, ai fitoi 12 medalje të arta botërore nga 2013 deri në 2019.

“Një hero për miliona njerëz në botë”
Zanardi u bë i njohur globalisht dhe ishte gjithmonë i kërkuar për intervista. Ai refuzonte ta quante veten të veçantë, duke folur për forcën e shpirtit njerëzor.
“Ndonjëherë harrojmë atë që kemi”, tha ai. “Unë jam ai një në një mijë që mbijetoi. Por nuk jam Superman. Nuk dua të jap mesazhin e gabuar. Nuk mendoj se aksidenti më bëri njeri më të mirë. Por më pas kam parë jetën nga një kënd tjetër dhe jam më i pasur shpirtërisht. Kam mësuar se njeriu është i aftë për gjëra të pabesueshme. Të gjithë kemi një rezervë energjie që del kur duhet.”
Zanardi vdiq më 1 maj, 32 vite pas vdekjes së Ayrton Senna-s, një tjetër ikonë e motorsportit.
Një rastësi simbolike, por edhe një lidhje që i bashkon në histori: të dy u bënë heronj për miliona njerëz dhe të dy lanë pas një trashëgimi që do të jetojë gjatë.