Historia prekëse/ PSG-ja në finalen e Championsit, Luis Enrique e luan edhe për vajzën e tij të ndjerë

9 Maj 2025, 17:20Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Luis Enrique dhe vajza e tij e ndjere, Xana

Luis Enrique është gati për finalen e tij të dytë në Ligën e Kampioneve këtë muaj, pasi udhëhoqi PSG-në drejt fitores kundër Arsenalit në gjysmëfinalen e Champions-it mbrëmjen e së mërkurës.

Një dekadë pas triumfit me Barcelonën, Enrique do të rikthehet në pankinën e finales më të madhe në futbollin e klubeve. Pak njerëz do ta kundërshtonin këtë arritje, veçanërisht duke ditur tragjedinë familjare që përjetoi gjashtë vite më parë.

Në vitin 2019, Enrique hoqi dorë nga posti i trajnerit të kombëtares së Spanjës për t’u kujdesur për vajzën e tij të vogël, Xana, e cila u diagnostikua me tumor në kocka. Fatkeqësisht, Xana ndërroi jetë më 29 gusht 2019, vetëm 9 vjeç, duke lënë prindërit e saj, Luis Enrique dhe Elena Cullell, të shkatërruar emocionalisht. Humbja e një fëmije është fatkeqësia më e madhe për çdo prind, por Enrique ka folur me shumë ndjeshmëri për këtë ngjarje, duke thënë se ende ndihet “shumë me fat” në jetë.

Historia prekëse/ PSG-ja në finalen e Championsit, Luis Enrique e luan

Duke reflektuar mbi vdekjen e Xanës, ai ka thënë: “A e konsideroj veten me fat apo fatkeq? E konsideroj me fat, me shumë fat. ‘Por vajza jote vdiq në moshën 9-vjeçare’. Po, por vajza ime erdhi për të jetuar me ne për nëntë vite të mrekullueshme. Kemi mijëra kujtime me të, video, momente të jashtëzakonshme”.

Një klip emocional tregonte Xanën duke bërë gjimnastikë në kopsht, ndërsa familja e saj e filmonte me krenari.

“Nëna ime nuk mund të mbante fotografi të Xanës derisa shkova në shtëpi dhe i thashë: ‘Pse nuk ka asnjë foto të Xanës mami?’ Ajo tha: ‘Nuk mundem’. I thashë: ‘Duhet t’i vendosësh. Xana është gjallë. Jo fizikisht, por shpirtërisht. Sepse çdo ditë flasim për të, qeshim dhe e kujtojmë. Unë besoj që Xana na sheh ende. Dhe ajo çfarë unë dua që ajo të mendojë është mënyra se si ne e jetuam këtë?”

Historia prekëse/ PSG-ja në finalen e Championsit, Luis Enrique e luan

Videoja përfundon me pamje të Xanës duke luajtur piano me një buzëqeshje rrëzëllitëse. Enrique u rikthye si trajner i Spanjës vetëm tre muaj pas vdekjes së të bijës, duke i udhëhequr në Kupën e Botës 2022. Pas eliminimit në 1/8-ave nga Maroku pas penalltive, ai u largua nga posti. Por nuk qëndroi gjatë larg pankinës: në korrik 2023 mori drejtimin e PSG-së. Edhe pse u larguan Lionel Messi dhe Neymar, Enrique fitoi Ligën 1 dhe Kupën e Francës që në sezonin e tij të parë. Pas largimit të Kilian Mbappesë për te Reali i Madridit, ai u detyrua të përshtatej edhe pa yllin e fundit, por sërish arriti të udhëheqë PSG-në drejt titullit kampion dhe finaleve të Kupës së Francës dhe Ligës së Kampioneve.

Tani, vetëm Interi qëndron në rrugën e tyre drejt trofeut të parë të Championsit, në një natë që pritet të jetë e mbushur me emocione për Enriquen, i cili vazhdon të jetojë dhe punojë për t’i bërë krenarë Xanën dhe familjen e tij.

Video