Gazetari nga Kosova, Rron Gjinovci ka habitur me deklaratën e tij, teksa ka thënë se është më shumë entuziast për Kroacinë sesa për Shqipërinë, para takimit të nesërm në kuadër të “Euro 2024”.
Sipas Gjinovcit, Kroacia bën më shumë për Kosovën sesa Shqipëria.
“Më entuziast jam për Kroacinë nesër sesa për Shqipërinë, për arsye krejt politike. Më shumë bën Kroacia për neve sesa Shqipëria. E kam gjyshen kroate, e kam edhe një arsye shtesë. Kroacia na shet armë, e lufton aktivisht Serbinë për dallim nga Shqipëria që e mbështet Serbinë. Është vendi i parë [Shqipëria] që na ka vendos sanksione”, ka thënë ai në emisionin “Konfront”.
“Nuk i kuptoj kosovarët që shkojnë harxhojnë para e shqyejnë gurmazin për Shqipërinë”, ka shtuar më tej ai.
Kroacia e Shqipëria përballen nesër në Hamburg në ndeshjen e dytë të Grupit B. Kroacia u mposht nga Spanja, ndërsa Shqipëria nga Italia në ndeshjet e para.