Fundi i karrierës duket larg! 5 gola dhe dy asiste, Ronaldo zgjidhet lojtari më i mirë i muajit gusht në Arabi

1 September 2023, 15:22Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fundi i karrierës duket larg! 5 gola dhe dy asiste, Ronaldo zgjidhet
Cristiano Ronaldo

Kalimi në Arabinë Saudite u pa si një ‘arratisje’ nga futbolli kompetitiv, por Cristiano Ronaldo ka ende ego për të shkëlqyer në fushën e lojës.

Portugezi mbetet shtylla kryesore e Al Nassr, e cila synon që me 38-vjeçarin në bord të arrijë suksese të mëdha. Sezoni nuk ka nisur në mënyrën e duhur për ekipin nga Rijadi, që ka koleksionuar vetëm gjysmën e pikëve pas katër javësh kampionat.

Megjithatë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Cristiano Ronaldon, yllin që po çmend arabët.

5 herë fituesi i Topit të Artë është zgjedhur si lojtari më i mirë i muajit gusht në Superligën e Arabisë Saudite, çmim prestigjioz për një futbollist që shumë skeptikë e cilësojnë në perëndim të karrierës.

Portugezi ka shënuar 5 nga 10 golat e Al Nassr deri më tani, madje ka asistuar edhe dy herë për të konfirmuar potencialin që zotëron. Gjithçka e arritur në vetëm dy sfida, përballë Al Fateh ai realizoi tregolësh për tu vlerësuar edhe me notën 10-të nga ekspertët, ndërsa në duelin me Al Shabab kompletoi një dopietë personale.

Ronaldo udhëheq edhe garën e golashënuesve të kampionatit, fakt që rrit shpresat e Al Nassr për të synuar titullin kampion në fund të sezonit.

Natyrisht konkurrenca do të jetë e lartë në Superligën Arabe që vetëm në këtë merkato vere ka shpenzuar rreth 1.2 miliardë euro për të blerë dhe paguar pagat e yjeve të futbollit botëror.


Video