Emocione dhe... miliona euro: Europa “mbush” arkat e Dinamos dhe Egnatias

14 Gusht 2026, 14:00Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Europa nuk po sjell vetëm emocione dhe histori për Dinamon e Egnatian, por edhe miliona euro në arkat e tyre.

Djemtë e Ilir Dajës me kalimin në finalen e “play-off”-it të Ligës së Konferencës kanë siguruar plot 1 milion e 450 mijë euro nga UEFA.

Por, kjo shifër mund të rritet ndjeshëm. Nëse Dinamo arrin fazën e ligës, të ardhurat nga kualifikueset do të shkojnë në 3 milionë e 170 mijë euro.

Shuma e përfituar është edhe më e lartë për Egnatian. Rrogozhinasit bënë përmbysjen e çmendur ndaj Shamrock Rovers, fituan 5-1 dhe siguruan një tjetër mbrëmje historike në Europë.

Deri tani, UEFA u ka garantuar 3 milionë e 170 mijë euro, edhe nëse eliminohen në “play-off”-in e Ligës së Europës ndaj Lillestrom. Vetëm fitorja ndaj irlandezëve mbushi arkat e rrogozhinasve me 1 milionë e 460 mijë euro.

Nëse Egnatia kalon përballjen e së enjtes  dhe hyn në grupet e Europa League fitimet shkojnë deri në  4 milionë e 310 mijë euro.

Kalimi në këto faza konsiderohet historik për kampionatin shqiptar. Për herë të parë dy ekipe konkurrojnë bindshëm në “playoff”-e të kupave të Evropës, çka mund t’i rrisë shanset për ngjitjen në pikë sa i përket kualifikimit në mbyllje të sesionit të ardhshëm.


Video