Një situatë e paprecedent ka ndodhur në futbollin e femrave në Shqipëri, ku ka shpërthyer dhuna fizike dhe ofendimet banale.
Episodi i dhunës ka ndodhur pikërisht në ndeshjen mes Tiranës dhe Vllaznisë për femra, duke çuar edhe në pezullimin e ndeshjes në minutën e 22 të pjesës së parë.
Klubi i Tiranës në një reagim të fundit ka zbuluar detaje nga sherri dhe ka akuzuar miqtë nga Shkodra për situatën e pakëndshme.
Si pasojë e dhunës që shpërtheu në fushën e kompleksit “Halili”, klubi bardheblu bën me dije se kanë mbetur të demtuara drejtoresha e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portierja Delvina Dyrmishi dhe futbollistja tjetër Flondra Behrami.
Njoftimi i plotë i Tiranës:
Ditën e sotme ishte planifikuar të luhej ndeshja KF Tirana Femra – KF Vllaznia Femra, në kompleksin “Skënder Halili”. Në këtë takim, klubi shkodran nuk ka lejuar që ndeshja të luhet, duke dhënë shembullin më të keq, në një vend ku futbolli i femrave po zhvillohet dhe për më tepër që dy skuadrat ishin duke zhvilluar kampionat me pikë të plota dhe duke ndarë vendin e parë.
Në minutën e 22-të ndeshja është ndërprerë, pasi skuadra kundërshtare ka reaguar ndaj pankinës sonë, fillimisht duke sharë e duke fyer, e më pas duke kaluar edhe në dhunë fizike.
Situata ka eskaluar, ku drejtuesit e Vllaznisë Femra, janë larguar nga pankina e tyre dhe kanë ardhur në pankinën e skuadrës së Tiranës dhe kanë nisur të shfaqin akte të tmerrshme dhune e të godasin stafin teknik, drejtuesit e klubit të Tiranës Femra si edhe futbollistet.
Klubi i Vllaznisë Femra ka dhunuar barbarisht drejtoreshën e klubit të Tiranës, Edonisa Aliaj, portieren Delvina Dyrmishi dhe futbollisten Flondra Behrami.
Dhuna ndaj grave edhe vajzave është një shkelje e përhapur e të drejtave të njeriut dhe një problem global i shëndetit publik me përmasa epidemike.
Ne si klub, presim zbardhjen e kësaj çështjeje nga organet kompetente dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë deri sa ngjarja të zbardhet plotësisht e aktorët që po shkatërrojnë futbollin “Fair Play”, të marrin dënimin e merituar.
Asnjë justifikim për dhunën ndaj vajzave dhe grave! Asnjë justifikim për dhunën në sport!