Dështimi i njëpasnjëshëm i Kokshit në organizimin dhe përmbushjen e objektivave në Lojërat Olimpike vazhdon. Ashtu si në “Tokio 2020”, ku Shqipëria u rendit e fundit nga shtetet pjesëmarrëse duke mos fituar asnjë medalje, e njëjta histori duket se po përsëritet në Paris 2024. Në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Francë, shtatë nga tetë sportistët që përfaqësojnë Shqipërinë i kanë mbyllur konkurrimet e tyre. Rezultatet deri më tani kanë qenë modeste dhe në disa raste jo në nivelin e pritshmërive.
Mundja konsiderohej shpresa e vetme e Shqipërisë për medaljen e parë olimpike në histori, por edhe kjo e fundit po rezulton një zhgënjim. Kujtojmë që pas mundësit Zelimkhan Abakarov që u eliminua në çerekfinalen e stilit të lirë deri në 57 kg, ditën e sotme datë 9 gusht është eliminuar edhe Chermen Valiev. Rusi i natyralizuar u mposht në çerekfinale 6-5 nga uzbekistanezi Jamalov Razambek.
Pas eliminimit të Abakarov dhe Valiev, nesër është radha e rusit tjetër, Islam Dudaev, që në peshën deri 64 kg të përfaqësojë Shqipërinë në mundje. Dudaev është shpresa e vetme e mbetur për Shqipërinë që të kërkojë medaljen e parë historike në Lojërat Olimpike.
Është për t'u theksuar se në dhjetë turnetë e Lojërave Olimpike që Shqipëria ka marrë pjesë, nuk ka mundur të sigurojë asnjë medalje.
Rezultatet deri më tani të sportistëve kuqezi që përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”
Luiza Gega nuk arriti të ishte pjesë e finales në 3 mijë metër me pengesa.
Franko Burraj ishte i shtati në baterinë kualifikuese të 100 metrave.
Manjola Konini u rendit e 37-ta në 25 metër me pistoletë me ajër dhe në vendin e 43 në distancën 10 metër.
Notarët Grisi Koxhaku dhe Kaltra Meça konkurruan vetëm në bateritë kualifikuese, pa arritur të vazhdojnë më tej.
Kampioni i botës, Zelimkhan Abakarov nuk ka mundur t’i sigurojë një medalje Shqipërisë pasi u eliminua në fazën çerekfinale.
Mundësi Chermen Valiev u eliminua në çerekfinale.
Konkurrimin e Shqipërisë në Olimpiadën “Paris 2024” do ta mbyllë kampioni i Europës, Islam Dudaev, më 10 gusht në peshat 65 kg.