Anglia, përfaqësuesja më e kushtueshme në botë: Shqipëria vlen sa “gjysma” e Bellinghamit

18 Mars 2025, 18:23Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Gjate nje ndeshjeje Shqiperi-Angli

Në letër janë koka e serisë në grupin K kualifikues drejt Botërorit 2026. Në fushë janë konfirmuar si një prej skuadrave më të mira në kontinent dhe në glob. Ndërsa për sa i takon financave, janë përfaqësuesja më e kushtueshme në botë.

Vlera e Anglisë në merkato përllogaritet në mbi 1,3 miliardë euro. Ndërkohë, sipas faqes së specializuar “transfermarket”, vlera e Shqipërisë është vetëm 100 milionë euro.

Lojtari më i kushtueshëm i anglezëve është Xhud Belingam. Ylli i Real Madrid kushton 180 milionë euro. Ashtu si mesfushori, më të vlefshëm se e gjithë kombëtarja kuqezi janë edhe lojtarë si Fil Fouden, Kol Palmer, i cili është i dëmtuar dhe nuk do të luajë, si edhe Deklan Rajs.

Kapiteni i ekipit Harri Kejn, i cili po shkëlqen te Bajerni i Mynihut, kushton 90 milionë euro.

Te Shqipëria futbollisti më i vlefshëm është Kristjan Asllani, me 18 milionë euro.

Mesfushori i Interit ndiqet nga Broja me 15 milionë euro, Muçi 12, Gjimshiti 8 dhe Ismajli 6 milionë.

Diferenca në letër është tejet e madhe, megjithatë futbolli nuk është vetëm shifra. E bukura e këtij sporti është mbi të gjitha elementi surprizë, fakti që përballë emrave në fanellë apo vlerës në treg shpesh herë në fushë prevalon zemra, loja e grupit dhe dëshira për të marrë rezultat. Më 21 mars në Uembli të gjithë besojnë te surpriza e madhe.

Video