Lefter Koka po mbahet në qeli pa asnjë provë, pa asnjë akuzë të provuar e faktuar dhe në kundërshtim me ligjin.
Sipas ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, rasti i ish-ministrit të Mjedisit duhet të alarmojë jo vetëm sistemin e drejtësisë dhe komunitetin e juristëve, por të gjithë shoqërinë shqiptare.
“Askujt nuk mund t’i hiqet apo kufizohet liria pa ligj! Aq më pak për qejf të partive, politikës, apo qoftë edhe për qejf të njerëzve që kënaqen me viktima politike! As "koka e turkut" e as "mishi për top" nuk janë logjikë ligji. Ato janë hakmarrje primitive”, thotë ish ministri i Drejtësisë.
Manjani vijon se avokatët po ngrenë një çështje që i shërben interesit publik.
‘Dhe publiku nuk ka interes, të paktën jo të demokratikisht të shëndetshëm, të burgosen njerëz për qejfe partish apo për të ushqyer miletin me koka turku”.
Ish-ministri thotë se akuzat e ngritura ndaj Lefter Kokës janë absurde edhe për një student të drejtësisë.
“Nuk ka, logjikisht, edhe shpërdorim detyre edhe korrupsion. Nëse ka korrupsion s’ka kuptim shpërdorimi. Nuk ka korrupsion pa marrëveshje korruptive dhe pa shkëmbim plaçke. Nuk ka shpërdorim detyre nëse nuk provohet detyra e shkelur, apo e shpërdoruar. Nuk ka pastrim produktesh krimi, pa provuar më parë kush është krimi që kreve, sa para nxore nga krimi dhe si i pastrove”.
Sipas Manjanit, nëse gjykata vijon përpara me këto kompromise cenohet rëndë siguria juridike për të gjithë qytetarët.
“Nuk mund të bëjë kompromise të tilla sistemi legal ndaj një njeriu që hidhet si mish për top, sepse nesër ky kompromis do të të bjerë ty në kurriz!”
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.