Kryebashkiaku i Tiranws, Erion Veliaj, ka ironizuar sot kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, në lidhje me akuzat e saj mbi procesin e rindërtimit.
Nga Kombinati, ku zhvilloi një takim me strukturat e PS, Veliaj ironizoi edhe deputetin e PD-së, Belindi Këlliçi duke e quajtur atë ‘dhëndrin e PS-së’.
“Kombinati ka pritur gjatë për çështjen e tërmetit dhe unë dua t’ju shoh në sy e t’ju them të vërtetën: Kemi bërë 22 gjyqe. Këtu vinte Monika Kryemadhi, që ka shtëpi e dhoma edhe për macet, ka edhe banjo për macet, por nuk ka një dhomë për një familje të prekur nga tërmeti dhe i cyste njerëzit, u thoshte çojeni në gjyq, merrni masa bllokimi. E patë atë dhëndrin tonë që kemi në PD? Kur e panë se nuk kishte dalë njeri nga Tirana, doli t’u bënte një thirrje të fundit. Tha të çohemi ne tironsit, se Sahati i Tiranës është mbushur me hotele me 5 yje. A thua se kjo është gjë e keqe. Edhe e thonë këta që u ngeci ora katër vjet. Kur Partia Demokratike dhe LSI-ja drejtonte Tiranën, Sahati i Tiranës nuk punoi katër vjet. Kur ty të ngec edhe ora e qytetit, simbolika më e madhe ritmit që duhet të kapim, është turp i madh”, tha Veliaj.
Veliaj shprehu bindjen se Bashkia e Tiranës do të fitojë edhe gjyqin për të zhbllokuar punën për heqjen e ndërtimeve pa leje te varrezat e Sharrës.