Belindi përmendi të gjithë ‘hajdutët’ e PS, përveç...vjehrrit

7 July 2022, 21:17Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Belindi përmendi të gjithë ‘hajdutët’ e PS,
Belind Këlliçi

Mes pak deputetëve që mbajtën fjalim në protestën e sotme kundër Qeverisë të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë dhe deputeti demokrat Belind Këlliçi.

Nga foltorja e vendosur para godinës së Kryeministrisë ai përmendi shumë prej emrave të qeveritarëve duke i konsideruar si hajdut.

“Shqipëria jonë sot është në rrezik. Shqipëria e vërtetë, ajo e shumicës reale, e qytetarëve të zakonshëm, po asfiksohet, po meket, po mpaket çdo ditë nga ajo që u shpall prej rilindjes, si Shqipëria që duam. Shqipëria që duam, e këtyre këtu ngjitur, vrau në fakt Shqipërinë e shqiptarëve. Shqipëria që duan këta, Shqipëria e Edi Ramës, e Veliajt, e Belindës, e Elisës, e Ben Ahmetajt, e Taulant Ballës, e Fridës, e Çuçit, e Ulsiut, e Agaçit, mund të jetë vërtetë e bukur. Idilike. Vjen aromë parfumi të shtrenjtë francez, mbahet me rroba të kushtueshme të markave italiane, ka shijen e restoranteve më ekskluzive nga Dubai e deri tek ato këtu në Tiranë, ka komfortin e vilave të luksit në bregdet, ka rehatinë e makinave qindra mijra euroshe, ka adrenalinën e udhëtimeve të klasit të parë, ka sigurinë e parave me shumicë, e apartamenteve te mbushura me para kesh. Kjo Shqipëri e këtyre dhe e njerëzve që i rrethojnë, nuk ka të sharë. Po ky vend, ky domen, ky venom i dinjitarëve më të korruptuar të globit sipas çdo raporti serioz ndërkombëtar, nuk u krijua falë gjenialitetit apo talentit të tyre. Kjo botë e tyre, erdhi në jetë, u rrit, dhe po majmet çdo ditë, mbi Shqipërinë e shumicës së shqiptarëve, mbi Shqipërinë tonë, duke i marrë asaj çdo ditë, pasuritë, buxhetin, asetet dhe mundësitë që ofron.” - ishte një pjesë e fjalimit të Belind Këlliçit.

Pra, ai përmendi të gjithë ‘hajdutët’ e Partisë Socialiste, përveç vjehrrit të tij, Artan Shkreli. A mos ndoshta e harroi?

Zoti Shkreli ka qenë një person i rëndësishëm gjatë qeverisjeve të Edi Ramës si ish-zëvendësministër i Infrastrukturës dhe sot si Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Ndërtimit.

Nuk po e akuzojmë aspak zotin Shkreli si hajdut, por nëse Këlliçi e ka seriozisht luftën ndaj korrupsionit duhet t’i përmendë të gjithë, duke përfshirë dhe vjehrrin e tij dhe jo duke bërë selektime.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video