Vasil Llajo tregon pse vendosi të kandidojë për PS-në: Fokusi im, infrastruktura dhe shëndetësia

28 Prill 2025, 23:13Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vasil Llajo

Kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, mjeku dhe biznesmeni Vasil Llajo, ishte i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”.

I pyetur nga Ylli Rakipi se përse vendosi të hyjë në politikë dhe të kandidojë për Partinë Socialiste, Llajo u përgjigj se këtë e ka zgjedhur si sfidën tjetër në jetë si atëherë kur u kthye nga Greqia për të instaluar skanerin e parë në Shqipëri.

“Unë nuk kam vlera monetare personale, por jam i kamur në dije dhe biznes dhe bëj kaq shumë në mjekësinë shqiptare që më bën të veçantë.

Kam patur një sfidë me veten që në 1995, kur punoja në Kat, në Greqi, si mjek reanimator. Atje ishte luks dhe rehati personale. Por duke qenë se kërkoja më shumë, vendosa që të bëja diçka në Shqipëri. Kur në Kat vinin traumat dhe politraumat dhe i nënshtroheshin ekzaminimit skanerik, ajo nuk ekzistonte në Shqipëri.

Duhet të bëja diçka për këtë vend, pa rrugë, pa drita, pa ashensor dhe mora gruan me dy fëmijë në Tiranë dhe instalova skanerin e parë. Kur vajta në Gjermani në kompaninë “Siemens”, Shqipëria nuk kishte llampë dhe unë e ndeza atë. Instalimi i skanerit do njohuri jo vetëm teknologjike, por edhe mjekësore, që tregon se niveli i mjekëve tanë është i krahasueshëm me të tjerët.

Nuk e kam sot të drejtën morale që të ndez një llampë tjetër kur ma kërkon sfida, interesat e vendit? Janë disa njerëz që mendojnë me idealizma”, tha Llajo.

Llajo shpjegoi mw tej se pavarësisht respektit të madh për Sali Berishën si mjek dhe njeri, ai ka zgjedhur Partinë Socialiste për shkak të vizionit të saj për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Në këtë moment duke parë se është një PS që ka si vizion kryesor futjen e vendit në BE, kjo ishte pasaporta që unë vendosa të zgjedh”, tha Llajo.

Llajo theksoi se infrastruktura dhe shërbimi shëndetësor janë disa nga prioritetet kryesore të tij nëse zgjidhet deputet.

Ai ka përmendur përmirësimet e mëdha që janë bërë, si ndërtimi i 35 kilometra rrugë, por gjithashtu ka theksuar se ka ende shumë probleme, si infrastruktura e dobët, mungesa e shërbimeve urgjente të shëndetësisë dhe vonesat në lëshimin e certifikatave të pronësisë.

Llajo ka premtuar të jetë një zë i fortë për qytetarët e Vlorës, duke kërkuar zgjidhje për këto sfida.

Video