Thaçi kthehet në Prishtinë, lejohet të vizitojë babain e sëmurë, brohorima “UÇK, UÇK” pranë spitalit, Rama: Ky është burrë

13 Mars 2025, 21:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Hashim Thaçi

Pas dy kërkesave të refuzuara, ish-presidenti Hashim Thaçi është lejuar të qëndrojë në Kosovë. Të enjten ai shkoi në Klinikën Interne në Prishtinë aty ku po trajtohet i ati, i cili gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore

Pas rreth 3 orë e gjysmë të qëndrimit të tij në Klinikën Interne, ish-presidenti Hashim Thaçi është larguar nga kompleksi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nën shoqërimin e forcave të EULEX-it.

Gjatë kohës së qëndrimit të tij kishte masa të shtuara të sigurisë, me forcat e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës që kishin siguruar perimetrin rreth klinikës. Dhomat e Specializuara konfirmuan se arsye për vizitën në Kosovë ishte gjendja shëndetësore e të atit të Hashimit.

Pranë klinikës u mblodhën edhe qindra qytetarë që me brohoritje “Thaçi, Thaçi” dhe “UÇK, UÇK” e  përshëndeten nga larg ish-kryeministrin.

Të pranishëm në oborrin e klinikës ishin edhe tre vëllezërit e Hashim Thaçit, Blerimi, Idrizi dhe Ganiu.

Ndërkohë, edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka reaguar për kthimin e Thaçit në Prishtinë.

Duke postuar foton e tij, Rama e quan burrë duke vënë edhe ikonën e shqiponjës.

Hashim Thaçi akuzohet nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara të luftës si dhe së fundmi ka një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë. Ai gjendet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

Video